E konfirmojnë malazezët: Gruevski brenda ditës ka hyrë dhe ka dalë nga Mali i Zi

Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi kumtoi mbrëmë se ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski më datë 11 të këtij muaji ka hyrë në Mal të Zi dhe po të njëjtën ditë ka dalë nga shteti.

“Lidhur me rastin e shkrimeve nëpër media, si dhe interesimin e mediave për këtë çështje, ndërsa të cilat kanë të bëjnë me atë se ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ka hyrë në Mal të Zi më 11 nëntor 2018, në interes të informimit të opinionit ju njoftojmë se Nikolla Gruevski ka hyrë në Mal të Zi atë ditë dhe po të njëjtën ditë ka dalë nga vendi”, thuhet në kumtesën e MPB-së malazeze.

Në kumtesë shtohet edhe se policia malazeze në këtë rast “në tërësi i ka respektuar procedurat ligjore”.

Paraprakisht, Policia shqiptare kumtoi se Gruevski përmes Shqipërisë ka shkuar në Hungari.

Sektori për kufi dhe migrim në kuadër të policisë shtetërore të Shqipërisë theksoi se Gruevski, Shqipërinë e kishte lëshuar më 11 nëntor rreth orës 19:11 përmes vendkalimit kufitar Han Hoti-Muriqan, në kufirin Shqipëri-Mali i Zi, si pasagjer në automjet me tabela regjistrimi CD1013A, pronë e Ambasadës së Hungarisë në Tiranë.

Autoritetet hungareze dje publikuan se Gruevski ka kërkuar azil politik në përfaqësinë hungareze jashtë Maqedonisë por e hodhën poshtë çfarëdo involvimi në arratinë e tij./Gazeta e Pavarur