Dy krahët e Besës: Të ndarë “PO” të bashkuar “JO” në Qeveri


Dy krahët e Lëvizjes Besa për “Nezavisen Vesnik” u shprehën të gatshëm që të bëhen pjesë e kabinetit qeveritar por vetëm të ndarë jo si një parti.

Besa e Shkupit dhe Besa e Tetovës janë gati ti fillojnë negociatat me kryeministrin Zoran Zaev për kyqje në kabinetin e tij, por vetëm të ndarë pa bashkëpunim mes tyre. Në intervistë për “Nezavisen Vesnik” që dy krahët e Besës u shprehën të gatshëm të ndihmojnë që Maqedonia sa më lehtë të bëjë rrugëtimin e saj drejt BE-së dhe NATO-së. Lideri i krahut të Tetovës të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami tha se partia e tij nuk ik nga përgjegjësia dhe në moment kur deri tek partia e tij do arrijë ofertë zyrtare nga kryeministri, organet partiake do të japin përgjigjen konkrete.

“Disa herë e kemi deklaruаr se jemi të gatshëm të pranojmë përgjegjësitë që na takojnë si parti politike. Momentin që do kemi një ofertë seriozisht do e shqyrtojmë dhe do marrim vendim në organet e partisë konform interesave të shqiptarëve dhe shtetit”, deklaroi Kasami.

Qëndrim identik mbisundon edhe në krahun e Shkupit të Besës. Zëdhënësi Murtezani me porosi se Besa është e gatshme në çdo kohë ti përgjigjet qeverisë për ti ndihmuar Maqedonisë drejt integrimeve euroatlantike.

“Ne edhe në fillim kur u formua qeveria kemi qenë të gatshëm të ndihmojmë dhe ky përkushtim nuk na ka munguar asnjëherë. Në këtë frymë pa asnjë kush e kemi ndihmuar shpesh shumicën parlamentare dhe nuk hezitojmë ta bëjmë këtë edhe sot. Natyrisht, këtë bashkëpunim dhe ndihmë gjithnjë e kemi nënkuptuar si bashkëpunim mbi parime dhe detyrime të ndërsjella. Kjo, në fakt, vlen edhe tash: nëse na ofrohet një gjë e tillë, ne nuk i ikim komunikimit. Do të bisedojmë, do të flasim dhe, nëse gjendet gjuhë e përbashkët, nuk përjashtohet mundësia edhe të bëhemi pjesë e qeverisë. Aq më shumë që konteksti i ri me çështjen e emrit dhe anëtarësimin në NATO për ne është një angazhim i gjithmbarshëm shtetëror e shoqëror dhe në këtë pikë jemi të gatshëm të ndihmojmë pa asnjë rezervë, qoftë në opozitë, po pse jo edhe duke qenë drejtpërdrejt pjesë proceseve në ekzekutiv”, tha Murtezani.

Por në pyetjen se në emër të momentit sensitiv dhe kyç në të cilën ndodhet Maqedonia, a janë të gatshëm të ulen në tavolinë të përbashkët dhe të bisedojnë për reformat, të dy krahët me përgjigje negative.

Murtezani deklaroi se edhe pse Afrim Gashi ka deklaruar se është i hapur të bisedojë me çdo lider, një takim i tillë nuk do të kishte efektin e duhur.

“Kryetari jonë, Afrim Gashi, ka thënë se nuk e ka problem të ulet me secilin në Maqedoni nëse konsiderohet se ai takim është frytdhënës dhe i dobishëm, në çfarëdo plani që të merret ajo dobi. Por, një takim i tillë nuk besoj se sjell ndonjë dobi, sepse ne deri dje kemi qenë bashkë me atë dhe, për shkak se qëndrimi bashkë nuk sillte më dobi, sot jemi këtu ku jemi. Më duket se pyetja juaj është pak më shumë optimiste. Dihen faktorët prej kujt varen reformat dhe integrimi”, shprehet Murtezani.

Kasami nga ana tjetër thotë se në tavolinë të përbashkët do të ulet vetëm në rast se Gashi nëpërmjet votave në zgjedhjet e ardhshme parlamentare fiton legjitimitetin e shqiptarëve.

“Nuk e di çka për momentin përfaqëson deputeti në fjale se parlamenti ka 120 deputetë. Nëse legjitimiteti I tij dhe partisë që do e formojë vërifikohet në zgjedhje parlamentare normalisht që do respektoj vullnetin e popullit por deri atëhere ai mandat I takon Lëvizjes Besa dhe nuk kam pse ta konsideroj ndryshe”, tha Kasami.

Edhe pse e përditshmja greke “To Vima” ditëve të fundit shkruan për ulje të optimizmit për gjetjen e zgjidhjes mes Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen e emrit, prapseprap dy krahët e Besës mbeten optimiste se zgjidhja është në horizont.

Optimizmi është fryma që na mban gjallë për të qenë aktiv, ndërsa zgjidhja e këtij problemi kërkon pikërisht aksion. Ne duhet të jemi optimistë aq sa punojmë që ky problem të zgjidhet dhe ne të anëtarësohemi në NATO. Për një gjë jam i sigurt: deri tash asnjëherë nuk kemi qenë më afër zgjidhjes dhe, nëse vazhdojmë të punojmë me këtë përkushtim, më shumë se sot asnjëherë nuk ka pasur gjasa që ky kontest të përfundojë. Variantin tjetër nuk dëshiroj ta vë në mendje fare”, deklaroi Murtezani.

Kasami përveç që është optimist, ai kërkoi që edhe partia e tij të përfshihet në negociatat me Greqinë.

“Ne kemi kërkuar edhe publikisht që të jemi të kyçur të paktën në takimin për informimin rreth procesit të negociatave, mirëpo Qeveria nuk e pa të rrugës për të na informuar dhe ne nuk dimë saktësisht se cila është oferta dhe sa afër ose larg është zgjidhja e çështjes të emrit. Gjithsesi nga ajo që po shohim në opinion ka një shpresë se zgjidhja e kontesti me Greqinë është afër dhe ne konform interesave të shqiptarëve dhe shtetit do japim kontributin tonë.

Blerim Ismaili