Dy fëmijë janë lënë të vetëm në një automjet në Lisiçe të Re, janë dërguar në spital


 Dy fëmijë mbrëmë rreth orës 22:00 janë gjetur të lënë vetëm në një automjet të parkuar në lagjen e Shkupit Lisiçe të Re. Policia, pas reagimit të qytetarëve, i ka nxjerrë nga automjeti dhe më pas i ka dërguar në Qendrën klinike në Shkup.

“Më 28 gusht, rreth orës 21:50, në SPB Shkup ka pasur paraqitje se në hapësirën për parkim në bulevardin ‘Vidoe Smilevski Bato’ në automjet të parkuar “alfa” me targa të Shkupit ndodheshin dy fëmijë të cilët ishin të mbyllur. Nga ana e nëpunësve policorë është intervenuar menjëherë dhe fëmijët janë nxjerrë nga automjeti dhe me automjet të ndihmës së shpejtë janë dërguar në kompleksin e klinikave ‘Nëna Terezë’”, informojnë nga MPB.

Pas masave të ndërmarra nga nëpunësit e policisë i kanë gjetur T.T. (44) dhe M.N.(35), prindër të fëmijëve. Për rastin policia e ka njoftuar prokurorin publik dhe po punohet në ndriçimin e rastit.