Dua Lipa nga Prishtina : Jam me fat që bëj diçka për të cilën vendi im është krenar


Artistja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, ka mbajtur sonte (e mërkurë) konferencën e saj për media në Prishtinë.

Me të hyrë, këngëtarja tregoi se është shumë e emocionuar për performancën që do ta ketë në festivalin “Sunny Hill”, teksa gjatë gjithë kohës e shoqëronte babai i saj, njëherësh edhe organizatori i festivalit, Dukagjin Lipa.

“Po më vjen shumë mirë që jam këtu sonte edhe që po e bëjmë një festival që po mendoj se për një dy vite kena fol për këtë gjë me bë diçka ndryshe në Prishtinë pasi që e kemi bë koncertin para dy verave. Edhe mendoj se u kon bajagi e suksesshme edhe jena kënaq edhe kemi kalu shumë mirë edhe po mendoj ajo e filloj idenë me bë diçka më të madhe, me ftu artistë të tjerë internacional edhe vendas”, ka thënë Dua Lipa.

E pyetur nga gazetarët për projektet e saj, Dua tha se ka qëllim që të mos ndalet, duke qenë vazhdimisht aktive.

“Po patjetër, mendoj se pas çdo gjëje ka diçka tjetër që donë me e arrit, gjithnjë ka diçka për të cilën dëshiron të vazhdosh, pra të gjitha gjërat e vogla e bëjnë një gjë të madhe. Mendoj se ky është vetëm fillimi i karrierës dhe jam shumë me fat dhe për mundësinë e kësaj të bëjë diçka për të cilën vendi im është krenar”, tregoi më tej këngëtarja me prejardhje shqiptare.

Si njëra ndër shqiptaret e famshme nëpër botë, Dua nuk harroi të përmendë edhe emrat e tjerë që i japin famë hartës së shtetit tonë.

Ajo ceki se të huajt ndjehen të befasuar kur kuptojnë se ajo është nga Kosova, pasi me një emër të tillë, nuk janë familjarizuar edhe aq shumë, ndonëse emrat e njohur shqiptarë në arenën ndërkombëtare nuk mungojnë!.

“Shumë kemi pas dëshirë edhe për shumë artistë të tjerë me ardhë, kemi qef me pa Rita Orën, Bebe Rexhën shumë femra të tjera artistë shqiptare që lënë markë në botë, kemi qef shumë me i pa, me i pru e me performu për Prishtinën, pra shumë ma shumë femra po kam dëshirë. Reagimi i anglezëve dhe të huajve në përgjithësi është dy përgjigje që i marr zakonisht kur më pyesin prej nga jam. E para është si është me qenë prej atij vendi edhe ku është?Edhe të dy pyetjet nuk janë pyetje apo reagime që i mirëpres pasi kisha pas qef me qenë ndryshe me thënë e di Kosovën se Rita Ora vjen nga Kosova apo Bebe Rexha apo Majlinda Kelmendi vjen nga Kosova. Sepse njerëz të ndryshëm që po bëjnë gjëra të mëdha nëpër botë janë për me njohtë Kosovën ndryshe. Po kemi dëshirë që me këtë festival të shihet se ka shumë talent nga Kosova, kreativitet e arsye të tjera për me ardhë dhe me e vizitu një vend si Kosova.Kemi dëshirë të kemi edhe një festival që t’u jepet njerëzve edhe një arsye tjetër për të pa vendin pasi kemi shumë gjëra që na e bëjnë krenar”, është shprehur më tej Dua.