Dorëzohet aktakuzë për tre persona për tregti me fëmijë


Prokuroria Themelore Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit ka dorëzuar aktakuzë për tre persona për tregti me fëmijë. “Prokuroria Themelore Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit sot deri te gjykata kompetente dorëzoi aktakuzë kundër një personi për vepër të kryer penale ‘tregti me fëmijë’ nga neni 418 g paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nga Kodi Penal, ndërsa dy persona – shfrytëzues të shërbimeve seksuale janë të akuzuar për veprën penale ‘tregti me fëmijë’ nga neni 418 g paragrafi 4 lidhur me paragrafin 3 nga Kodin Penal”, njoftoi Prokuroria Publike, përcjell Medial.mk.

Pas realizimit të procedurës së gjerë hetuese dhe grumbullimit të materialit vëllimor dëshmues, Prokuroria ka konfirmuar se nga fillimi i dhjetorit të vitit 2017 e deri më 6 shkurt të këtij viti, në Kavadar, Radovish, Shtip dhe fshatin Misleshevë të Strugës, fillimisht e akuzuara, me përdorim të dhunës, kanosjes serioze dhe mashtrim e ka shfrytëzuar pafuqinë e fëmijës i cili nuk ka mbushur 14 vjeç. E akuzuara për shkak të eksploatimit përmes rrugës së shfrytëzimit të aktiviteteve seksuale, për kompensim të hollash ose kompensim tjetër e ka transportuar, e ka shituar, e ka ofruar në shitje, e ka strehuar dhe ka organizuar martesë të dhunshme të fëmijës.

Të akuzuarit e tjerë, siç citohet në kumtesën nga Prokuroria, edhe pse e kanë ditur se fëmija është viktimë e tregtisë me njerëz, e kanë shfrytëzuar dhe mundësuar një personi tjetër shfrytëzim të shumëfishtë për shërbime seksuale, me ç’rast e kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkohen. Si rezultat për keqpërdorimin, fëmija ka mbetur shtatzënë dhe ka qenë e detyruar ta ndërpresë shtatzëninë. Për shkak të procedurave fëmija në një periudhë të caktuar kohore ka pasur gjendje të çrregulluar shëndetësore, shpirtërisht ka pësuar dhe ka ndjerë dhimbje fizike nga lëndime të shkaktuara trupore. Së bashku me aktakuzën, prokurori publik kompetent, duke vlerësuar se janë përmbushur bazat ligjore, deri te gjykata ka dorëzuar edhe propozim për vazhdim të masës paraburgim për tre të akuzuarit.