Dorëhiqet një funksionar i lartë i VMRO-DPMNE-së

Ish ministri i punëve të jashtme nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Nikolal Popovski, është dorëhequr nga Komiteti ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së por edhe nga të gjitha organet tjera në parti. Dorëheqjen e ka deponuar që para tri javëve, shkruan PlusInfo duke u thirrë në burime partiake.

Deri para ca kohe ai përmendej si një nga kandidatët më seriozë për kryetar të VMRO-DPMNE-së, por tani është e paqartë nëse do të futet në garën për kryetar partie, shkruan Gazeta Lajm.

Ai nuk ishte në mesin e 30 funksionarëve të nënshkruar në letrën përmes së cilës kërkojnë prolongim të kongresit, që është caktuar të mbahet këtë vikend në Vallandovë dhe organizim të një kongresi në të cilin do të merrnin pjesë jo 500 siç është paraparë, por 5.000 delegatë.

VMRO-DPMNE më shumë se 10 vite ishte partia më monolite në skenën politike në Maqedoni, por që ka filluar të përballet me përçarje të thella, pas dobësimit të BDI-së, e cila me vetëm 10 deputetë nuk ishte në gjendje të respektojë parimin “fituesi me fituesin”, si parim i shpifur për të mbajtur në pushtet VMROnë dhe Nikolla Gruevskin, gjoja duke respektuar “vullnetin e shumicës maqedonase”, edhe pse ajo “shumicë” në mënyrë të vrazhdët shkelte vullnetin e shumicës shqiptare.