Dorëhiqet edhe Subhi Jakupi i propozuar nga BDI


Anëtari i KSHZ-së, Subhi Jakupi i propozuar nga BDI, ka dhënë dorëheqje. Jakupi e ka konfirmuar informacionin për TV 24, transmeton Gazeta Lajm.

Dorëheqja e Jakupit vjen pas dorëheqjeve të kolegëve të tij, kryetarit të KSHZ-së, Aleksandar Çiçakovski, Violeta Duma dhe Igor Milev, pasi doli në shesh skandali për bonuset plotësuese.
“Ambasadori amerikan Xhes Bejli deklaroi se procedura për votimin e kompensimeve ishte jotransparente. Është e vërtetë që ishte pas dyerve të mbyllur, në orët e vona, por pa fajin tim. Unë nuk e dija se kjo mbledhje nuk ishte publikuar në ueb-faqen e KSHZ-së. Por, është korrekte, prej aspektit etik të jap dorëheqëje, përshkak se nuk mund të mohojmë se kemi reaguar në mënyrë joetike”, deklaroi për Nova-në, Jakupi.

Anëtarët tjerë të KSHZ-së tani për tani nuk përgjigjen nëse do ë japin dorëheqje, me përjashtim të Ermira Hasani-Saliu e propozuar nga Lëvizja Besa, e cila deklaroi se nuk do të japë dorëheqje, sepse në momentin kur është sjellur vendimi për bonuset ka qenë në pushim.