Dorëheqja e Salijit tregon mjerimin e drejtësisë në Maqedoni

Ministri i drejtësisë, Bilent Saliji është dorëhequr nga posti, dhe këtë ai e kumtoi mbrëmë në një konferencë të organizuar në Qeverinë e Maqedonisë. Ministri Saliji ka theksuar se dorëheqja e tij është akt moral dhe vjen pas rikualifikimit të lëndës lidhur me rastin e Almirit të vogël, nga vrasje me paramendim në aksident trafiku me pasoj vdekjen, me c’rast la të lirë Boban Iliq, të akuzuar për vrasje. Ministri Saliji theksoi se ky akt lëkundi përkushtimet për reforma në gjyqësor.

Ai tha se nga marrja e detyrës deri tani ka arritur që të fokusohet dhe realizojë pikat kryesore të agjendës për reforma dhe se puna e gjyqësorit është reflektuar pozitivisht në rastin Sopoti dhe Monstra.

Analistët e përshëndesin aktin e ish Ministrit të Drejtësisë dhe të njejtët thonë se institucioni i përgjegjësisë në Maqedoni duhet të kultivohet më shumë se kaq.

Analisti politik Selim Ibraimi për Zhurnal shprehet se dorëheqja ishte më se e nevojshme dhe se ministri ka vepruar në mënyrë të drejtë. Sipas tij dorheqja e ministrit ka treguar gjendjen e mjerueshme të sistemit të drejtësisë në Maqedoni.

“Dorëheqja ishte më se e nevojshme dhe ministri ka vepruar drejtë dhe akti i doreheqjes duhet përshëndetur dhe vlerësuar pozitivisht. Në fakt me këtë veprim ministri ka treguar gjendjen e mjerueshme të sistemit të drejtësisë dhe nevojës për reforma të vërteta. Tash radhën dhe përgjegjësinë morale dhe ligjore e ka prokuroria dhe gjykata që ka lëndën në proces. Pa drejtësi të vërtetë s’ka Maqedoni dhe as BE. Në Maqedoni vazhdon të funksionojë gjyqësia etnike. Kjo duhet të marrë fund bashkë me korrupsionin”, ka deklaruar për Zhurnal, analisti politik, Selim Ibraimi.

Nga ana tjetër politologu Xhenis Sulimani për Zhurnal ka theksuar se gabimet e shumë paraardhësve të Bilen Salijit kanë sjellë në këtë gjendje drejtësinë. Sipas tij zgjedhjet e prokurorëve përmes linjave partiake ka bërë që vrasjet t’i cilësojnë si aksident trafiku.

“Dorëheqjet shkaku i pafuqisë politike janë për t’u përshëndetur, për faktin se janë leksion i mirë politik. Institucioni i përgjegjësisë në Maqedoni duhet të kultivohet më shumë se kaq. Mosprezenca e këtij institucioni ka bërë sistemin e drejtësisë, por edhe tërë sistemin politik në Maqedoni kështu si është- të dobët dhe me plotë të meta. Gabimet e shumë paraardhësve të Bilen Salijit e kanë sjellë në këtë derexhe drejtësinë, që tani ky i fundit të jep dorëheqje edhe pse ndoshta është i fundit që do të duhej të merr përgjegjësi. Gjithmonë bazohem në “bombat” që u publikuan vite më parë, ku u dëshmua se si shqiptarët kanë zgjedhur ose kanë votuar për prokurorë. Gjithmonë në linja partiake e aspak kualitative. E tani si pasojë e linjave partiake kemi prokurorë që aktet e vrasjes i cilësojnë si aksidente trafiku”, ka deklaruar për Zhurnal, politologu Xhenis Sulimani.