Dollari është në vlerën më të ulët nga dhjetori i vitit 2014


Kursi i dollarit amerikan sot ka rënë në nivelin më të ulët në tre vitet e fundit, pasi që ministri i Financave të SHBA-së, Stiv Mnuçin në Forumin Botëror Ekonomik në Davos deklaroi se “dollari më i dobët është më i mirë për tregtinë”.

Indeksi i dollarit amerikan, i cili matet në raport me mesataren prej gjashtë valutave botërore, sot ka rënë për 0,5 për qind dhe e kaloi kufirin psikologjik prej 90 pikave duke u zvogëluar deri në 89.66, që është niveli më i ulët nga dhjetori i vitit 2014.

Euroja sot është shitur për 1,23 dollarë, që është vlera më e lartë e valutës së përbashkët evropiane në raport me valutën amerikane në tre vitet e kaluara.

Valutat tjera konkurruese, si jeni japonez dhe stërlina britanike, gjithashtu janë përforcuar në krahasim me dollarin.

Investuesit kanë filluar në mënyrë më intensive të lirohen nga valuta amerikane, pasi që Mnuçin deklaroi se është i shqetësuar për rënien e deritanishme të dollarit.

“Dollari më i dobët është mirë për ne, sepse është e ndërlidhur me tregtinë dhe mundësitë”, tha Mnuçin.

Kjo nuk është deklarata e tij e parë në dobi të dollarit më të dobët, politikës monetare, të cilën e komploton edhe presidenti amerikan, Donald Tramp. Në prill të vitit të kaluar ai deklaroi se “dollari është shumë i dobët”.

Ekspertët vlerësojnë se dollari do të shitet në periudhën që vjen dhe se dollari i dobët gjatë një periudhë më të gjatë do të ketë ndikim të madh mbi tregjet financiare.