Dokuzovski: Mjerë ai që do të jetë ministër i Bujqësisë kur të fillojnë negociatat me BE-në


Nga subvencionet në bujqësi, rreth 800 milionë euro, sa janë shpenzuar viteve të kaluara, nuk ka kurrfarë efekti. Jo vetëm që nuk ka, por efekti është edhe negativ. Qëndron pezull populizmi lakuriq, dëshira e atyre që ishin në pushtet të jenë të dashur nga bujqit, që këta të fundit të votojnë për ta. Gjithçka tjetër përmes shifrave është negative. Gjithnjë e më shumë jemi duke importuar ushqim, eksportojmë gjithnjë e më pak. Nuk kemi prodhimtari. Aparati administrativ është tepër i madh, nëpunësit i pengojnë njëri-tjetrit, nuk janë të kualifikuar. Por, e keqja më e madhe është se u zvogëluan sipërfaqet e punueshme. Do të jetë shkatërruese nëse vazhdon praktika e dhënies se truallit cilësor bujqësor edhe për ndërtimin e kapaciteteve përpunuese, vlerëson Kiro Dokuzovski, ish-ministër i Bujqësisë, në kohën e të cilit u miratuan të gjitha ligjet e sektorit agrar (përveç atij për farë dhe material për mbjellje) dhe u formuan shumica e institucioneve, që funksionojnë edhe sot e kësaj dite.

Në tentim për të tërhequr një paralele se si ishte më parë, e ku jemi tani, a jemi dhe sa jemi duke lëvizur në drejtimin e duhur, Dokuzovski për MIA-n thekson se për punë të suksesshme do të mund të flitet atëherë kur do të arrihet diçka pa para.

“Secili ministër kur jep raport duhet të tregojë se çfarë dhe sa ka bërë, por pa para. Jo të tregojë se sa para ka shpenzuar gjatë mandatit të tij, por sa efekte ka arritur. Në kohën time, 1997/98, pa subvencione (me kalim zero) kishim 30.000 tonë duhan, 160.000 tonë rrepë (tani nuk ka as një kilogram), 25.000 – 30.000 tonë luledielli (analizoni se sa ka tani). Do të theksoj, pa subvencione kishim mbjellë mbi 117.000 hektarë grurë, ndërsa tani janë nën 90.000. Dua të them, se si pa para arriheshin efekte për prodhimtari të rritur. Kur i përmendim shifrat, 800 milionë euro subvencione duhet t’i mbulojmë me efekte. Nëse janë shpenzuar aq, duhet të themi edhe sa është efekti nga këto para. Vlerësimi im është kritik, se nuk ka kurrfarë efektesh. Madje ato janë negative, përveç populizmit ndaj bujqve. Pushteti dëshiron që ta duan, të votojnë për të. Gjithçka tjetër përmes shifrave është negative”, thekson Dokuzovski.

Lidhur me truallin bujqësor, bën të ditur se sa më të larta që kanë qenë subvencionet, për aq janë zvogëluar sipërfaqet e punueshme.

Sipas Dokuzovskit, asnjë ministër nuk merr guximin të ngritë zërin kundër urbanistëve të cilët e shkatërruan bujqësinë në Maqedoni.

“Merreni për analizë cilëndo periudhë që të doni. Ja, le të jetë baza diku në vitin 1997/98, kur nuk kishte subvencione. Numër një është: shumë para për subvencione, ndërsa sipërfaqe të zvogëluara lëvrimi. Maqedonia ka mbi 130.000 hektar më pak sipërfaqe të punueshme gjatë subvencioneve të këtilla të mëdha. Të gjitha sipërfaqet pjellore u shndërruan në zona që rrinë bosh ose janë gjysmë aktive që është mirë. Në vend se të ndërtohet në truall të klasës së tretë, siç ishte rasti në sistemin paraprak, tani jepen sipërfaqet më të mira për ndërtim. Gjithçka po shkretohet, ndërsa askush nuk mban llogari. Shikojeni Pollogun, si ishte, si është tani. Ndërtohet në çdo metër, bën të ditur ish-njeriu i parë i këtij sektori.

Vazhdon, shprehet ai, tendenca – fshatrat të boshatisen, arat të mbeten të papunuara, ndërsa paratë janë shpenzuar.

“Shtrohet pyetja: ku shkojnë paratë? Do të thosha, mbështetja e prodhimtarisë organike është orientim i mirë. Për këtë duhet patjetër t’i lëvdojmë edhe pushtetin e mëparshëm edhe këtë aktual. Por, nuk është edhe aq me rëndësi se sa para janë dhënë, por sa është prodhuar sipas llojeve dhe sasive, si dhe sa produkte organike janë plasuar në vend dhe janë eksportuar jashtë vendit me logo? A ka evidencë? Nuk ka. Nuk ka kurrfarë të dhëne për para të shpenzuara të shprehura në vlerë – sasi të produkteve organike. Do të them sërish, është mirë të jepen para, por duhet patjetër të respektohen deri në fund rregullat”, thekson Dokuzovski.

Edhe ky segment, shton ai, e vërteton popullizmin e garniturave në pushtet të cilat vazhdimisht shprehen “japim” ose “dhamë kaq para”, por askush nuk e tregon efektin e arritur.

Dokuzovski është i prerë se bujqësia e Maqedonisë nuk mund të shtyhet me tregun e BE-së dhe konkurrencën e atjeshme.

“Gjithmonë do të ishte mirë, por veçanërisht janë të shkëlqyeshme tendencat në disa vitet e fundit, edhe të ministrit paraprak edhe të këtij aktual, në prodhimtarinë e verës. Promovimet, rrugët e verës, sforcimi i verës në shishe, përvetësimi i tregjeve me më pak verë, por që është cilësore, e dallueshme për Maqedoninë. Kjo është mirë dhe duhet të vazhdojë. Nuk është i keq as orientimi për prodhimtarinë organike, por e përmenda: është e domosdoshme një disiplinë më e madhe, rend, llogaridhënie”, shprehet Dokuzovski.

Për të është veçanërisht diskutuese çështja – sa është gjithsej numri i bagëtisë që e therë Maqedonia, e sa nga kjo theret në thertore. Çfarë mishi jemi duke ngrënë.

“Prej ku vjen mishi nëpër kafenetë? Pesëdhjetë për qind e therrtoreve janë mbyllur, qoftet dhe qebapët i ke kudo. Prej ku vjen ky mish? E përjashtoj festën e “Kurban Bajramit”. Çfarë bëjmë me pjesën tjetër të mishit? Prej nga vjen? Mishi i importuar, i ngrirë, duhet të përfundojë në kapacitetet përpunuese, e jo në tezga. Në këtë segment të dhënat janë shumë të këqija”, bën të ditur ish-ministri.

Në këtë kontekst, sërish u rikthye në efektet nga subvencionet.

“Gjithçka që ndërlidhet me ushqim, nga prodhimtaria deri te konsumi, tregon rritje të deficitit. Jemi duke importuar gjithnjë e më shumë ushqim, eksportojmë gjithnjë e më pak. Nuk kemi prodhimtari, gjithçka është populizëm, thekson Dokuzovski.

Siç shprehet, mjerë ai që do të jetë ministër i Bujqësisë kur do të fillojë procesi i bisedimeve.

“Evropa nuk dëshiron të importojë probleme, ndërsa këta tanët kështu siç janë të llastuar, pa llogaridhënie, pa asgjë, vetëm marrin para dhe lëvdohen. Kur do të fillojë procesi i bisedimeve, do t’i thonë ministrit dhe ekipit të tij: Deri tani keni dhënë subvencione ku keni mbërri. Edhe sipas sipërfaqes edhe sipas kilogramit. Edhe për produkte të ndaluara. Çfarë do të bëni tani? Do t’i pyesin, sa bujq kanë me një lopë, me dy lopë, me 10, 50 lopë? Do t’i ngrenë supet. Nuk kemi të dhëna. Kur do të jeni gati, ejani, do të negociojmë. Më pas vijon pyetja e dytë. Nëse 90 për qind e bujqve nuk mund të marrin para për lopët, çfarë do të bëni me fermerët e vegjël? Sërish nuk keni zgjidhje? Kthehuni me propozim. Çfarë bëni me parcelat e imta?”, sqaron Dokuzovski.

Lidhur me koperativat, qëndrimi i tij është se duhet të sforcohet dhe kopjohet tërësisht modeli i BE-së që në fakt nënkupton organizim të prodhuesve. Bujqit, bën të ditur, duhet patjetër t’i plotësojnë obligimet që i kontraktojnë. Ata duhet doemos të mësojnë se edhe BE-ja jep, por kërkon përmbushje të obligimeve.

“Ku qëndron problemi te ne? Kur t’i shkruani rregullat, çfarë duhet të përmbushë një bujk si obligim ndaj kombinatit. Edhe për këtë shteti jepte para, por duhet t’i aftësojë dhe mësojë bujqit, se jep para, por ata duhet të përmbushin kushtet, e jo, kur të lëshoni në secilin televizion, ata kërkojnë mbështetje për pjeshkat, për kumbullat. Nuk kanë lindur, ministri të japë para. Do të ngrenë zërin dhe ja, menjëherë do t’u japin para. Kur keni dëgjuar që ndonjë ministër të thotë “jo”? Problemi është i dyanshëm, edhe në politikat, por edhe në vetëdijen e bujqve”, nënvizon bashkëbiseduesi ynë.

Është më i vështirë dhe më i ndërlikuar, sipas tij, miratimi i rregullave shoqëruese. Prandaj, Maqedonia orientohet në subvencione. Kjo është më së lehti.

“Duhet t’i nxisim prodhimet e vogla, kapacitetet e vogla, veprimtaritë plotësuese, gjë që, gjithsesi, duhet të jenë aq të mëdha për të mos e tejkaluar veprimtarinë themelore, e për këtë, nga ana tjetër, duhet ditur se cila është e ardhura mesatare, e cila është ajo minimale e bujkut tonë. Pikërisht këto rregulla të vogla nuk ka kush t’i shkruajë. Aparati administrativ është tepër i madh, nëpunësit i pengojnë njëri-tjetrit, nuk janë të kualifikuar, vlerëson Dokuzovski.

Për përmirësimin e përgjithshëm të situatës, është elementare, porositë Dokuzovski, që të respektohen rreptësisht ligjet e miratuara. Duhet patjetër të kihet arshin të njëjtë për të gjithë, e jo disa të jenë të privilegjuar (ata që janë të lidhur me pushtetin), e të tjerët jo. Maqedonia duhet doemos t’i përpilojë dhe miratojë rregullat e nevojshme, por edhe t’i aftësojë bujqit për t’i kuptuar dhe ndjekur rregullat. Tregjet për çfarëdo lloji të produktit duhet patjetër të rregullohen. Duhet ngritur lloje të reja të të mbjellave të pemëve. Kopshtaria dhe vreshtaria kanë tendenca të mira. Në blegtorinë është mirë të mbështetet qengji, të mbrohet si brend. Me drithërat nuk kemi gjasa të mira për shkak të strukturës së keqe të truallit. Çdo dhënie e subvencioneve, e pasivizon prodhimtarinë.

“Janë të domosdoshme prerje serioze, të dhimbshme. Veçanërisht në ndërmarrjet publike. Nevojitet mbikëqyrje më e madhe. Të sanksionohen çfarëdo parregullsish ose punë joekonomike. Duhet të zvogëlohet edhe administrata. Të racionalizohet. Punësimi është tepër i madh veçanërisht në NP “Pyjet e Maqedonisë”, në NP “Kullosat”. Duhet pasur kujdes të madh me truallin shtetëror. Nuk guxon të mbetet asgjë e papërpunuar, por është i keq koncepti nëse, sikurse deri tani, ofrohen sipërfaqet edhe për kapacitete përpunuese. Praktikisht, do të përsëritet gabimi i pushtetit të mëparshëm – në arat e bukura do të lindin objekte ndërtimore”, paralajmëron Dokuzovski dhe sërish bën të ditur se sipas tij, më i keq është zbatimi i rregullave në pjesën që ka të bëjë me ushqimin.

Me profesion agroekonomist, Kiro Dokuzovski rrumbullakon 20 vite qëkur ishte njeriu i parë i sektorit të bujqësisë. Ishte ministër në Qeverinë e Branko Cërvenkovskit, por asnjëherë nuk pushoi që ta ndjekë dhe skenojë situatën. Në këtë profesion është i njohur edhe i “ministri i parë që e preku tokën” ose si “ministër – nëntë ligje e gjysmë”.

“I solla të gjitha ligjet, por jo edhe atë për farë dhe material për mbjellje. E përpilova, por nuk e miratove. Prej këtu vjen edhe nofka “nëntë ligje e gjysmë”. Dhe do t’ju them menjëherë. Në kohën derisa unë isha ministër në Qeverinë e Cërvenkovskit, kohë që më së shumti eksploatohet, nuk kishte kurrfarë privatizimi në bujqësi dhe nuk guxonte të ketë meqë nuk kishte ligj për përcaktimin e pronësisë së truallit (shtetëror, privat, individual). Privatizimi i sektorit bujqësor, gjegjësisht shkretimi i tij, ndodhi prej vitit 1999 e këndej. Kush ishte ministër atëherë, Ju e dini. Do t’i përmendi vetëm “Fabrikën e Qumështit të Shkupit”, “Trubarevën”, “Belimbegovën”, “Cërvena Zvezdën”, … atëherë falimentuan të gjitha kombinatet. Pak mbetën deri sot. Kjo është një katastrofë e madhe, ndërsa i përshkruhet Cërvenkovskit për çka pohoj se nuk është e vërtetë. Jam krenar që kam qenë ministër dhe që kam bashkëpunuar me Branko Cërvenkovskin”, rrëfen Dokuzovski.

Kiro Dokuzovski ishte edhe ndihmës ministër i Bujqësisë prej vitit 1974-1982, si dhe kryetar i Komunës së Gjorçe Petrovit, Sarajit dhe Karposhit të dikurshëm të cilat në periudhën 1982 – 1986 ishin një komunë e vetme.