Dita Botërore për Internet më të Sigurt – rekomandime për të rriturit dhe për fëmijët

Balanconi kohën e kaluar në botën onlajn, së pari lexoni, pastaj pranoni, gjuha e urrejtjes nuk është opsion, janë një pjesë e rekomandimeve të cilat i publikoi Instituti për Menaxhim të Mirë dhe Perspektiva Evropiane (IMMPE), me rastin e Ditës Botërore për Internet më të Sigurt – 5 shkurti.

“Dita as nuk fillon e as nuk mbaron me internetin, edhe pse disave prej nesh po na duket se është ashtu. Gjatë ditës ka dhe duhet të ketë edhe shumë aktivitete të tjera oflajn të cilat do t’i bëjmë së bashku me fëmijët tanë. Mësoni veten, ndërsa me atë edhe fëmijët se kalimi i kohës së lirë dhe argëtimi në internet vjen si çmim pas detyrave dhe aktiviteteve të realizuara. Nuk mund të prisni fëmija të ndërtojë marrëdhënie apo bilanc në përdorimin e telefonit celular apo kompjuterit, nëse ju për 24 orë qëndroni në telefonin apo tabletin tuaj. Pasi fëmija do ta ndjek shembullin tuaj dhe do të konsiderojë se qëndrimi në internet është rregull i cili duhet të zbatohet gjatë gjithë ditës”, qëndron në rekomandime.

Para se të shtypet butoni “pranoni” (accept), siç tregohet, është e nevojshme të lexohen kushtet nën të cilat shkarkohet një aplikacion i caktuar apo instalohet ndonjë program. Për rregullat e njëjta që në vegjëli duhet të mësohen fëmijët dhe të kuptojnë se kanë dhe bartin përgjegjësi për sjelljen e tyre derisa janë në sferën onlajn.

“Sfida kryesore është se si të rrisim gjenerata të ardhshme të cilat do të dinë se si të sillen sipas rregullit në internet, të kujdesen që fëmija të mos bëhet viktima e dhunës së bashkëmoshatarëve në internet por në të njëjtën kohë edhe të mos jetë shkaktues apo shkak që një fëmijë tjetër të shqetësohet, nënçmohet apo torturohet”, thekson Instituti.

Rekomandojnë edhe se nevojitet vendosja e arsimit kompatabil me erën digjitale dhe edukimin mediatik formal, ngritjen e vetëdijes për përdorimin e aplikacioneve dhe softuerëve për mbrojtjen e prindërve, aktivitete për ballafaqim me lajmet e rrejshme, zhvillimin e aftësive ku duhet fëmijët të kërkojnë që të gjejnë informacione të sakta, për të fituar pasqyrë reale për inlfuencuesit, jutjuberët dhe gejmerët.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistikë, në tremujorin e parë të vitit të kaluar, 79,3 për qind e amvisërive kanë pasur qasje në internet nga shtëpia. Në periudhën e njëjtë nga popullata e përgjithshme e moshës prej 15 deri në 74 vjeç, internet kanë shfrytëzuar çdo ditë apo pothuajse çdo ditë. Telefoni celular apo telefoni i mençur kanë qenë mjetet më të përdorura për qasje në internet tek abonuesit e internetit në këtë periudhë ndërsa më së shumti tek personat e moshës prej 15 deri në 24 vjeç (91,8 për qind).