Dimitrov: Viti 2018, vit i suksesit për Maqedoninë


Viti 2018 ka gjasa të mëdha të jetë një vit i vërtetë europian për Maqedoninë, ka deklaruar ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, i cili në Bruksel ka realizuar një darkë pune me ministrat për çështje europiane të vendeve anëtare të BE-së.

Diskutimet gjatë takimit, siç njofton Ministria e Jashtme, janë përqendruar në perspektivat e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt integrimit në BE në prag të zhvillimit të pritshëm të ngjarjeve brenda Bashkimit Europian gjatë gjysmës së parë të vitit 2018 e që ka të bëjë me shpalljen e strategjisë së presidentit të KE-së, Juncker, mbi zgjerimin e BE-së, raporteve të progresit dhe Samitit të BE – Ballkanit perëndimor.

Dimitrov gjatë takimit ka informuar ministrat e shteteve anëtare për arritjet e Maqedonisë në zbatimin e reformave të brendshme dhe promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, si dhe me planet dhe pritjet e Qeverisë në periudhën e ardhshme. Ai ka theksuar se “Maqedonia ka shansin e madh për të arritur sukses të madh”.

“Ndërkaq përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së kanë inkurajuar Maqedoninë të vazhdojë me vendosmëri në rrugën drejt BE-së”,- thuhet në kumtesën e Ministrisë së Jashtme. Takimi u organizua nga ministri i Jashtëm i Estonisë, Sven Mikser, në cilësinë e vendit që kryeson me Këshillin e BE-së.