Dikur i dëgjonim, tani vetëm i lexojmë “bombat” e Zaevit


Derisa në Gjykatën Themelore të Shkupit po dëgjohen “bombat” të cilat në vitin 2015 filloi t’i publikojë lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, për shkak të zbrazëtirave të Ligjit për Procedurë Penale, qytetarët e Maqedonisë munden vetëm t’i lexojnë, por jo edhe t’i dëgjojnë. Edhe pse çdo seancë incizohet në mënyrë audiovizuale nga Gjykata, incizimet nuk munden të shfrytëzohen jashtë procedurës penale, shkruan Portalb.mk.

Deri më tani, mediat në Maqedoni asnjëherë nuk kanë qenë të lejuara që t’i incizojnë debatet kryesore të seancave gjyqësore në mënyrë audiovizuele. Fotografët dhe kameramanët hyjnë në sallën gjykuese para se të fillojë seanca, të paralajmëruar se nuk mund ta filmojnë trupin gjykues, fotografojnë dhe marrin inserte (kënde të caktuara, pa zë) nga palët e përfshira në rast, ndërkaq më pas gazetarët prej brenda seancës e informojnë opinionin në mënyrë të shkruar.

Risi është që, këtë vit janë lejuar mediat të filmojnë në mënyrë audiovizuale vendimin e Gjykatës, në rastin “Tanku” ku u dënua ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish ndimësi i ministrit të MPB-së, Gjoko Popovski, por edhe në rastin ku u dënuan dhunuesit e Ziadin Selës.

Gjykata Themelore – Shkup
Gjykata Themelore – Shkup

“Në seancë nuk mundet që të kryhen incizime filmike ose televizive. Me përjashtim, kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë, mund të miratojë incizim të caktuar. Nëse incizimi është i miratuar, Këshilli i debatit kryesor mundet të vendos me arsye të caktuara që disa pjesë të caktuara të debatit kryesor të mos incizohen”, thuhet në nenin 360, paragrafi 4 të Ligjit për Procedurë Penale të Republikës së Maqedonisë.

Në paragrafin 6 të nenit 374 të Ligjit për Procedurë Penale, nënvizohet se audio-video materialet nuk mundet që të përdoren për qëllime tjera, përveç procedurës penale. “Nuk guxohet që të publikohen, transmetohen ose të shfrytëzohen materialet audio-vizuele, për qëllime jashtë procedurës penale”, thuhet nenin 374, transmeton Portalb.mk.

Juristi dhe avokati Mefail Arsllani, vlerëson se Ligji për Procedurë Penale ka zbrazëtira, ndërkaq në pjesët e seancave të cilat janë me interes publik duhet që të lejohen që mediat të incizojnë.

“Në qoftë se duam që gjykimet të jenë transparente dhe publike, atëherë gjithçka që është interes publik duhet të njoftohet opinioni, përveç informatave private dhe të klasifikuara. Ligji për Procedurë Penale ka shumë zbrazëtira. Megjithatë, 80% e “bombave” janë biseda private. Jo qytetarët, por edhe institucionet nuk mund të bëjnë dallimin e interesit publik dhe privat. Në qoftë se unë me x person kontaktoj dhe debatoj për punët e mia se si unë i udhëheqi, dhe nëse nuk merret një vendim për shkelje të ligjit, atëherë nuk është interes publik. Por, edhe nëse merret një vendim për shkelje të ligjit, ai veprim duhet që të konstatohet jo vetëm të lihet si dëshmi verbale. Megjithatë, vlerësoj se duhet që të lejohet incizimi në Gjykata, në pjesët ku është me interes publik”, vlerëson Arsllani.