Diaspora ka afat edhe dy javë të paraqitet që të votojë në referendum


Tashmë disa ditë Maqedonia po përballet me realitetin e shpalljes së referendumit i cili duhet të mbahet me datë 30 shtator, në të cilin qytetarët e vendit por edhe ata shtetas që jetojnë dhe veprojnë në diasporë duhet të shprehen “PËR” ose “KUNDËR” në pyetjen: “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO, me pranimin e Marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë?”, shkruan e përditshmja në gjuhën maqedonase “NOVAMAKEDONIJA”, transmeton MEDIAL.

Referendumi në kuvend u miratua me 69 vota PËR, kurse VMRO-DPMNE-ja opozitare nuk morri pjesë në procesin e votimit, me çka në mënyrë të qartë erdhi në pah ndarja e opinionit në vend rreth pranimit të marrëveshjes së arritur në Prespë.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor në mbledhjen e saj të fundit temë të nxehtë diskutimi kishte çështjen se duhet ose jo diaspora e vendit të votojë në referendum!

“Votimi i diasporës në referendum zhvillohet sipas principit të njëjtë kur ka dhe zgjedhje. Nëse ka më shumë se 10 votues të paraqitur, atëherë organizohet votim në të gjitha përfaqësitë diplomatike-konsullore të Maqedonisë. Paraqitja e diasporës bëhet përmes plotësimit të një formulari për votim në referendum që duhet të dorëzohet në përfaqësitë diplomatike të vendit ose përmes rrugës elektronike në KSHZ. Paraqitja e mërgimtarëve që duan të votojnë në referendum do të zhvillohet nga data 9 deri më 23 gusht”, thonë nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor.