„Dhuna në Qendër“, prezantohen dy audio inçizime në gjykatë


Në seancën e sotme për dhunën në komunën Qendër u prezantuan dy audio inçizime nga  Zyra e Prokurorit Publik Special, pas çka seanca u prolongua për më 6 shkurt.

Në fillim të gjykimit mbrojtja kërkoi që gjykata të mos i pranojë këto materiale, pasi sipas tyre, një pjesë e madhe e tyre ishin pa numër të arkivit dhe të vërtetuar.
Ndërkaq gjykata propozoi që të vazhdohet me seancën, që mbrojtja në gjykimin e ardhshëm të dorëzojë ankesë.
Në njërën nga audio inçizimet e prezantuara nga prokurori publik, Gavrill Bubevski e që ka të bëjë me bisedë të zhvilluar me 1 qershor të vitit 2013, mes Mile Janakievskit dhe Nikolla Gruevskit dëgjohet se si ish kryeministri i thotë Janakievskit “të premten kryetari i komunës Zhernovski të hajë disa shuplaka” pas çka Janakievski thotë se mund të bëhet kjo gjë dhe se do të organizojë protestë.
Në bisedën tjetër të datës 13 tetor të vitit 2013 mes Orce Kamçevit dhe Mile Janakievskit, dëgjohet se si Kamçev është i interesuar për situatën me planet urbanistike të detajuara në komunë.

Për dhunën në komunën Qendër më 10 qershor 2013, janë të akuzuar më shumë persona, mes të cilëve edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski, ish ministri i transportit dhe lidhjeve, Mile Janakievski, deputetja e VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova dhe ish këshilltari në komunën e Gazi Babës Aleksandar Trajkovski si dhe tetë persona të tjerë. Ata akuzohen për nxitje të dhunës që ndodhi gjatë protestës para Komunës Qendër në qershor të vitit 2013.  Deri më tani për këtë lëndë fajin e kanë pranuar Tomisllav Llazarov dhe Jordan Ristevski dhe të njejtit kanë marrë dënim me kusht. Për të akuzuarin e tetë Dimçe Krstev zhvillohet procedurë e ndarë./Shenja