Deskoska: Të dëmshpërblehen të dënuarit e rastit “Sopoti”

Ministria e Drejtësisë do të gjej mënyrë për t’i dëmshpërblyer të dënuarit e rastit “Sopoti”. E para e këtij dikasteri, Renata Deskoska, e pyetur nëse ministria ka buxhet për të paguar dëmin e Sopotasve u përgjigj se në çfarëdo situate duhet gjetur mundësia për t’i kompensuar ata të cilëve i është shkelur e drejta, transmeton Alsat M. 

“Që kur kam ardhur në këtë funksion kam nënshkruar vendime për ata të cilët i është shkelur e drejta si paraburgim i pabazë apo të ngjashme dhe të gjitha këto i mbulojmë. Në rast se nuk ka ministria e Financave mjete, përmes Kuvendit detyrohet që t’i sigurojë. Kur ka raste kur janë shkelur të drejtat e njeriut, pati ose jo para duhet gjetur mënyra për të paguar dëmshpërblimin”- deklaroi Renata Deskoska, Ministre e Drejtësisë.

Më 19 mars në mungesë të fakteve dhe mbi bazën e dëshmisë së dhënë me dhunë të dëshmitarit, Ramadan Bajrami, Prokuroria Speciale u tërhoq nga ndjekja penale ndaj të akuzuarve në rastin Sopoti. Pavarësisht vendimit të plotfuqishëm, më 11 gusht ish i akuzuari për këtë rast Afrim Ukshini u arrestua në pikën kufitare në Tabanovc mbi bazën e flet-arrestit ndërkombëtarë pasi që paraprakisht Ukshini ishte dënuar në mungesë. Pas vendimit të Gjykatës Penale për lirimin nga akuza, mbrojtja ka nisur procedurat e dëmshpërblimit.