Deskoska: Kemi të drejtë për ekstradimin e Gruevskit


Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska pret që Hungaria, si vend anëtar i Bashkimit Evropian, do të sillet sipas standardeve dhe konventave evropiane në sjelljen e vendimit për ekstradimin e Nikolla Gruevskit, transmeton Portalb.mk.

“E drejta jonë është të kërkojmë ekstradim dhe sipas dokumenteve ndërkombëtare të vlefshme kemi të drejtë të fitojmë ekstradim. E drejtë e autoriteteve hungareze është të vendosin në mënyrën që konsiderojnë se duhet të vendosin, por unë pres që Qeveria, që është vend anëtar i Bashkimit Evropian, gjatë sjelljes së vendimit të sillet sipas standardeve dhe konventave evropiane, veçanërisht sipas Konventës evropiane për ekstradim që e kemi nënshkruar dhe ratifikuar edhe ne edhe Hungaria”, deklaroi Deskoska, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve para fillimit të debatit për propozim-ligjin për gjykatës.

Gruevski në Hungari

Gruevski nuk është në Maqedoni, sepse ai tashmë ka marrë azil politik në Hungari, pasi që u arratis për t’i ikur vuajtjes së dënimit prej dy vjetësh në rastin tjetër të PSP-së, “Tank”, që ka të bëj me furnizimin e “Mercedesit” në vlerë prej 600 mijë eurosh.
Arratisja erdhi dy ditë para se institucionet në Maqedoni të lëshonin fletë-arrest ndërkombëtar, kurse për marrjen e përgjigjes pozitive për azil politik në Hungari, Nikolla Gruevski njoftoi një ditë para se Maqedonia ta dërgojë dokumentacionin në Hungari për ekstradim të të apostrofuarit.