Dëshmi/Si lindi Marrëveshja kornizë


Politikani dhe diplomati i njohur, Muhamed HALILI përmes INA sjell detaje dhe momente historike për periudhën e përgatitjes dhe firmosjes së Marrëveshjes së OHRIT.

Muhamed HALILI/

Përvjetorët vijnë e shkojnë, partitë e mëvonshme politike dhe liderët e tyre u bijnë parreshtur daulleve dhe rrahin gjoksin se si e inicuan marrëveshtjen e cila i dha fund një konflikti të shkurtër ushtarak midis dy ushtrive-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe Armatës së Republikës së Maqedonisë -ARM. Deri më tani janë organizuar një numër i konsiderueshëm i debateve publike në formë të konferencave ku janë thirrur analistë, pjesmarrës të gjallë si ndërmjetësues të procesit të rikthimit të paqës në Maqedoni pas nënshkrimit ë Marrëveshtjes Kornizë, opinionistë që kanë shkruar në bazë të asaj që e kanë lexuar nga arkivat e bisedimeve, por rrallë herë (ose asnjëherë!) edhe ata nga pala bashkëbiseduese shqiptare të cilët kanë qenë hartues të disa pjesëve të Marrëveshtjes, negocues në tryezën e bisedimeve.

Ata që deshën të bëjnë biznes me këto të arritura madje edhe paguan me para të majme institucione të brendëshme e të jashtme jashtëqeveritare për ti bërë analizë “shkencore” kësaj marrëveshtjeje, por pa ndonjë rezultat të dukshëm.

Synimi im është që, për disa herë me rradhë, opinionin e gjërë ta informojmë drejt dhe realisht cilat ishin ato ngjarje që i paraprinë uljes në tryezë të bisedimeve të përfaqsuesve politikë shqiptarë dhe maqedonas për ti zgjidhur disa çështje që historikisht i rëndonin marrëdhëniet ndëretnike shqiptaro-maqedonase e që kishin të bënin me pozitën kushtetuese të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë.

Konflikti i parë ushtarak në Maqedoni shenjat e para i dha në janar të vitit 2001 dhe filloi të intensifikohet në shkurt dhe mars të po të njejtit vit. Kjo ndodhi gati një vit e gjysëm pas zgjedhjes së Boris Trajkovskit për president të Maqedonisë, në zgjedhjen e të cilit shqiptarët në përgjithësi dhe partia shqiptare në qeverisje PDSH kishin dhënë mundin e tyre maksimal për votimin e tij për president me premtim se ai do të angazhohet për përmirsimin e pozitës kushtetuese-juridike të shqiptarëve në Maqedoni, gjë që gjatë fushatës parazgjedhore për president në vitin 1999 Trajkovski ma patë thënë edhe mua personalisht. PPD atëherë nuk ishte pjesë e koalicionit qeveritar me VMRO-DPMNE dhe Alternativën Demokratike të Tupurkovskit edhe pse në zgjedhje parlamentare kishte dalur në koalicion me PDSH-në e Arbën Xhaferit. Arsyeja për këtë mund të ketë qenë se një pjesë e vogël e funksionarëve të PPD-së kanë refuzuar një ofertë të tillë e cila duhej të shkojë nëpërmjet zotit Xhaferi e jo drejtëpërdrejtë nëpërmjet Lupço Georgievskit .. Pozicioni i opozitës për një kohë të shkurtër e dobësoi tepër PPD-në dhe i forcoi pozitat e PDSH-së në qeverinë e atëhershme të zotit Georgievski dhe Xhaferi i cili u ngrit në rang regjional prej lideri. Pasi disa rezultateve fillestare në përfaqsimin e shqiptarëve në Qeveri, lufta e gjeti të befasuar PDSH-në dhe fare të papërgatitur PPD-në. Këtë të fundit e udhëhiqte për kohë të shkurtër Imer Imeri,një kombëtar i mirë me të kaluar leniniste-enveriste, atëkohë tërësisht i izoluar nga parlamentarët e tij të cilët nuk i dhanë fare mbështetje sepse ai në garë për kryetar partie bindshëm ngadhnjeu ndaj kundërkandidatit të tij i cili ishte simbol i liberalizmit shqiptar dhe mik i ngushtë i socialdemokratëve maqedonas dhe disa figurave politike partiake që dikur kishin pasur peshë në popullatë. I izoluar më tepër se një vit nga parlamentarët, në vigjilje të konfliktit të 2001 (shkurt 2001) Dr. Imer Imeri nga presioni vendosi të bëjë rekonstruksion të Kabinetit të tij duke i përfshirë në kryesi dhe Kuvend qendror edhe figurat që e kontestonin atë dhe nuk e njihnin për kryetar. Diku kah korriku i vitit 2000 Dr. Imeri në një bisedë telefonike me mua, derisa isha ambasador në Kopenhagë, më ofroi pozitën e nënkryetarit në PPD por unë nuk kisha mundësi reale ta pranoj sepse isha ambasador. Pas kthimit tim në vend ai disi e pat ndruar mendimin dhe ma ofroi postin e sekretarit gjeneral të cilin pas një hamendjeje e pranova. Pas zgjedhjes së kryesisë së re lufta filloi të intensifikohet dhe ne si PPD u desh ta shpallim qëndrimin tonë politik në lidhje me rrethanat e reja të krijuara në Maqedoni si rezultat i luftës. Qëndrimi i PDSH në atë kohë shprehur nga goja e zavendëskryetarit të saj dhe gati krejt udhëheqjes partiake ishte se bëhej fjalë për “një grup të vogël njerëzish të falimentuar, që e kishin humbur rrrugën e tyre me të cilët duhej të ndeshej shteti ligjor” të cilët, sipas tyre, synonin largimin nga skena politike të kësaj partie. Me komunikatën numër 4 UÇK shpalli programin e saj politik i cili mbi 90% ishte Platforma politike e PPD-së e shkruar në Deklaratën për status të barabartë të shqiptarëve në Maqedoni.

Për PPD-në ishte tepër vështirë të ndërtojmë qëndrim të drejtë politik ndaj këtyre ngjarjeve, por qëndrimet krejtësisht negative ndaj këtij grupi njerëzish nga ana e Richard Holbrook, pastaj Departamentit të shtetit të SHBA, Sekretarit të NATO-s zotit Robertson se bëhet fjalë për terroristë që duan ta shkatrojnë Maqedoninë, (siç u shprehën ata!) na detyroi që në konferencën për shtyp që për herë të parë më 1 mars 2001 në hotelin “Liraku” në Tetovë e organizova në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të PPD-së të kërkojmë nga të dy anët të ndërpresin luftimet, të amnistohen ushtarët e UÇK-së dhe të fillojë dialogu shqiptaro-maqedonas për zgjidhjen e konfliktit. Me qëllim të dhënies të legjimitetit politik luftëtarët e UÇK-ës i shpallëm “kryengritës dhe luftëtarë për liri”. Pas kësaj konference për shtyp PPD u ballafaqua me presione të mëdha që kjo organizatë (UÇK) mos ta gëzojë mbështetjen tonë politike dhe të shpallet organizatë terroriste por ato presione i përballuam me mençuri dhe me plot sukses edhe pse dy herë rradhazi liderët Arbën Xhaferi dhe Imer Imeri gjatë vizitave të Xhorxh Robertsonit, atëherë Sekretar gjeneral i NATO-s dhe Havier Solanës, përfaqsues i lartë për politikë të jashtme dhe siguri në BE, patën nënshkruar deklarata se ky grupacion i pathirrur ushtarak nuk e ka mbështetjen e forcave politike shqiptare por atë mbështetje e kanë forcat e zgjedhura në zgjedhjet e drejtëpërdrejta.

Pas “muajit të shkurtë të mjaltit” midis PPD-së dhe PDSH-së në vitin 1998 erdhi koha e acarimit të madh midis këtyre dy partive, ashtu siç kishte qenë edhe para 1998, para lidhjes së koalicionit parlamentar PPD-PDSH. Komuniteti ndërkombëtar synonte ti bëjë bashkë partitë politike që kishin fituar zgjedhjet si përfaqsues legjitim të qytetarëve por e kaluara e idhët në relacionet midis këtyre dy partive si dhe korrupcioni i madh që e kishte kapluar qeverinë e VMRO-DPMN E që kulmin e arriti me shitjen e rafinerisë së Shkupit ndërmarrjes greke “Okta” dhe tërhjekja nga gara për zgjedhje lokale nga ana e PPD-së si shkak i vjedhjeve zgjedhore dhe incidenteve të armatosure në vendvotime, nuk lejonte në krijimin e një fryme të besimit të ndërsjellë midis këtyre dy partive.

Gjatë kohës së paraluftës kur kryetari Imer Imeri kishte qenë i izoluar aktiviteti i diplomacisë partiake kishte rënë në zero. Me zgjedhjen e kryesisë së re fillimi i konfliktit kërkonte një aktivitet të bujshëm diplomatik partiak. Me këtë rast politikanë të partisë u angazhuan në drejtime të aktivitetit të tyre politik. Udhëheqës të partisë i rindërtuan marrëdhëniet politike me partinë opozitare maqedonase LSDM dhe patën takime të shpeshta për të gjetur rrugën për ndaljen e konfliktit. Unë si sekretar sëbashku me deputetët Naser Zyberi, nënkryetarin Abduladi Vejseli, Ismet Ramadanin e të tjerë kishim takime të shpeshta me bashkësinë ndërkombëtare dhe udhëheqjen e lartë të LSDM. Në takimet e ndara dhe sëbashku që i kemi pasur i kemi hulumtuar rrugët që shpiejnë deri të ndalja e konfliktit. Nga bisedimet e zhvilluara me Branko Cërvenkovskin, kryetar i LSDM-së dhe Vlado Buçkovskin, kryetar i Kuvendit të Shkupit dhe sekretar gjeneral i LSDM kemi ardhur në përfundim se situata e dhënë nuk kërkon zgjidhje ushtarake por politike (kërkesa jonë për dialog shqiptaro-maqedonas që maqedonasit e refuzonin) . Një kërkesë e vetme për fillim të bisedimeve nga ana e Branko Cërvenkovskit ishte të ruhet karakteri unitar i shtetit (pa të cilin nuk ka biseda). PPD këtë gjë prej vitit 1990 nuk e kishte pranuar. Ajo nuk votoi kushtetutën, nuk doli në referendum për pavarësimin e njëanshëm të shtetit, shpalli referendumin për Autonomi, inicoi para Konferencës së Hagës Asociacionin me karakter ligjvënës të komunave shqiptare në Maqedoni, kontestoi shtetin para Konferencës së Hagës, etj. etj.

Me shpalljen e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, me mosvotimin e saj nga ana e parlamentarëve shqiptarë, PPD-PDP opinionit botëror ia vuri me dije se kushtetuta e vitit 1991 është burim i pakënasisë dhe jostabilitetit dhe gjenerator i krizës politike dhe si e tillë ajo duhet ndryshuar.

Gjatë kohës së koalicionit VMRO-PDSH lideri i saj Arbën Xhaferi disa herë u pat bërë thirrje partnerëve të koalicionit qeveritar se është i domosdoshëm një dialog maqedono-shqiptar për të ndërtuar një shtet multietnik demokratik mbi baza të barazisë politike, ekonomike, sociale e kulturore midis popujve. Edhe kryetari i atëhershëm i Kuvendit të Maqedonisë Dr- Savo Klimovski (një nacionalist i rregjur) dhe kryetari i Alternativës Demokratike Vasil Tupurkovski e përqafuan këtë ide dhe kishte gjasa të mëdha ato të fillojnë sikur konflikti të mos kishte plasur pa asnjë konsulte ndërshqiptare. Në të vërtet, dorën në zemër, relacionet midis liderëve të partnerëve të koalicionit VMRO-PDSH dalloheshin me një qasje të besimit reciprok dhe në atë kohë pati avancime shumë cilësore të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni. Këtë kohë ata e shpallën si periudhë të relaksimit të marrëdhënieve ndëretnike e cila filloi me lirimin nga burgu të Rufi Osmanit, Alajdin Demirit, Vehbi Bexhetit të burgosur për aktivitete kombëtare politike dhe përdorimin e flamurit kombëtar në komunat shqiptare ku ata ishin prefekt ( Tetovë dhe Gostivar).

“PLATFORMA FROWIK” DHE NDËRPRERJA E BISEDIMEVE

Muaji mars i vitit 2001 ishte muaji i intensifikimeve të luftimeve posaçërisht në regjionin Kumanovë-Likovë. Bombardime të shumta të vendanimeve shqiptare bëheshin çdo ditë nga artileria e rëndë e ARM-së ndihmuar me ndihma ushtarake të Bullgarisë dhe posaçërisht Ukrainës. Nga këto bombardime më së shumti pësuan civilët. Establishmenti ushtarak i ARM-së kërkonte nga popullata që ata ti braktisin vatrat e tyre që pastaj të merrnin aksione ushtarake kundër UÇK-së por popullata me ngulm e refuzonte këtë dhe ata qëndronin në vatrat e tyre. Komuniteti ndërkombëtar duke parë se situata eskalon gjithnjë e më tepër e bëri planin e tij për ndërmjetësim paqësor. Në këtë kohë dy partitë politike shqiptare PDSH dhe PPD ende mbanin pozita diametralisht të kundërta në lidhje me luftën.

Diku në 11 mars 2001 nga Ambasada amerikane në Shkup në zyrën e PPD-së na njoftuan se zyrtarë të lartë amerikanë duan të takohen në Rezidencën e ambasadorit amerikan Mike Einik në Shkup në lidhje me luftën. Ambasadën e informuam se kryetari i PPD-së Dr. Imer Imeri dhe unë në cilësinë e Sekretarit të përgjithshëm të PPD-së do të takohemi me delegacionin amerikan. Më 12 mars 2001 diku prej orës 20 në Rezidencën e Ambasadorit (në mungesë të ambasadorit i cili rinte në një dhomë tjetër) patëm takime të ndara së pari unë e pas meje Imer Imeri me një delegacion të lartë ekspertësh politik e ushtarak amerikanë kryesuar nga James Pardew, i emruar i dërguar special i presidentit Bush për ndërmjetësim në konflikt. Pardew kishte pasur një eksperiencë të madhe në shërbimet intelegjente amerikane dhe interesohej të dijë çdo detaj. Unë atëherë kisha fare pak informacione se kush ishin ata që bënin luftë ndërsa mendoj se Dr. Imeri posedonte informacione më të mëdha sepse kishte lidhje të ngushta nga lëvizjet leniniste-enveriste por frikohej ti shpalos nga përvoja e idhët që e pati në Aferën e armëve disa vite më parë. Në pyetjen e Pardew se kush janë ata që bëjnë luftë unë u pëgjigja se nuk kam informacione të sakta por rebelët thirren se kanë përkrahjen e NATO-s dhe Amerikës. Ndoshta më tepër do të mësoni nga Emrush Xhemaili, vazhdova unë, një leninist-enverist i cili pak ditë më parë deklaroi se partia që ai e kryeson ( Partia Popullore e Kosovës), “e mbështet luftën çlirimtare të shqiptarëve të Maqedonisë”. Pasi e dëgjoi këtë prononcim Pardew rrufeshëm ma ktheu: “Jo, SHBA nuk përkrahin ekstremistë. Ne përkrahim forcat e zgjedhura legjitime politike”.

Vonë me Dr. Imerin u kthuem në Tetovë dhe rrugës nuk këmbyem asnjë fjalë në lidhje me takimin. Të nesërmen, më 13 dhe 14 mars 2001 Pardew ka pasur takime me liderët politik në Kosovë, mes tjerash edhe me Emrush Xhemailin .

Korrespondenti i Radio Evropa e lirë ( RFE-RL) Jolyon Naegele më 15 mars 2001 nga Prishtina , mes tjerash, pat raportuar si vijon: “…Këshilltari special për Ballkanin i presidentit të SHBA dhe Sekretarit të shtetit, Ambasadori James Pardew, natën që shkoi e shprehu dënimin e SHBA-ve për dhunën që dje kaploi në dhe përreth Tetovës në veriperëndim të Maqedonisë…” Ekstremistët shqiptarë shkëmbyen zjarr me policinë në afërsi të kalasë dhe demostrantët në qendër të Tetovës e sulmuan kamerën e një TV stacioni maqedonas privat (A1).

Gaetari Naegele raporton se në konferencën për shtyp Pardew të ketë thënë: “…Ne ftojmë popullin shqiptar të Kosovës dhe atë në Maqedoni të bëjnë çmos që të ndalin këtë dhunë dhe ti dënojnë ata që kanë marrur aksion dhe e kanë shkaktuar këtë. ne besojmë se ky është një grup i vogë ekstremist të cilët thjeshtë bëjnë përpjekje të mbjellin frikë dhe përdorin dhunë për promovimin e (agjendës) politike…”

Naegel raporton se Pardew në takimin e tij me Emrush Xhemailin i ka thënë se një parti që në Kosovë ka fituar 8 të votave në zgjedhjet lokale nuk mund të përfaqsojë të drejtat e të gjithë shqiptarëve.

Pardew mbaroi misionin e tij disa ditësh dhe u kthye në SHBA por luftimet vazhduan.

Më 26 mars 2001 pas lëshimit ë pozicioneve në Kala të Tetovës dy ditë më parë Tetovën e vizituan Sekretari britanik për punë të jashtme Robin Cook dhe Havier Solana, diplomati spanjoll i ngarkuar për politikë të jashtme dhe siguri i BE-së. Ata së pari erdhën në në biseda në selinë e PPD-së që gjindej në qendër të Tetovës dhe pas kësaj sëbashku me ne më këmbë e bënë një xhiro në qendër dhe hyrën në selië e PDSH-së.

Në takimin që e bëmë në PPD atyre ua dhamë një Memorandum se si PPD i sheh gjërat duke kërkuar hapjen e një dialogu politik shqiptaro-maqedonas në lidhje me pozitën kushtetuese të shqiptarëve në Maqedoni, barazinë e plot të gjuhës shqipe me maqedonishten, përfaqsimin proporcional në institucionet e shtetit etj.

Më 27 mars në Reportweb botohet Qëndrimi i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për ngjarjet në Maqedoni ku Robin Cook drejtuar deputetëve në Dhomën e komunave të ketë thënë: “…Të dielën armata e Maqedonisë e ka zhvilluar një operacion ta rikthejë kodrën sipër Tetovës. Operacioni duket se ka pasur sukses dhe ekstremistët e armatosur i kanë lëshuar pozicionet e tyre.

Të dielën në mëngjez bisedova me presidentin Trajkovski dhe ia vura në dije rëndësinë që operacionet të jenë proporcionale me rrezikun dhe të përmbahen nga akcionet të cilat mund të shkaktojnë viktima civile. Më poshtë Cook referon se ka biseduar me Solanën të marrin një nismë për realizimin e aspiratave legjitime të shqiptarëve.

Ndërsa e përditshmja e njohur britanike e “The Guardian” e datës 27 mars 2001 shkruan se Havier Solana “…ka riafirmuar mbështetjen për një zgjidhje paqësore të konfliktit duke i inkurajuar rebelët shqiptarë ta lejojnë procesin politikë të zhvillohet lirisht dhe ta bëjë rrugën e tij… Ju duhet të gjeni zgjidhje të problemeve jo me pushkë por me negociata” -ka thënë ai pas takimit me liderin etnik shqiptar Arben Xhaferi.

Pas gjithë këtyre aktiviteteve të diplomacisë evropiana dhe të SHBA edhe OSBE kishte vendosur ta jep kontributin e saj për rivendosjen e paqës dhe me 21 mars 2001 nga qendra e saj në Vienë kumtojnë se kryesuesi i OSBE-së, ministri i jashtëm rumun Mirçea Xhoana kishte caktuar diplomatin amerikan Robert Frowik për ndërmjetësim mes liderëve politik në Maqedoni për të gjetur një zgjidhje paqësore të konfliktit.

Në një intervistë për Deutche Welle ( Susan Allen Nan and Andrea Strimling — 2003) Robert Frowik pat deklaruar : “…Gjithashtu unë pata tre udhëtime në Maqedoni sepse tashmë dy vite mua më thirrën në rrethana. ekstremisht të vështira kur filloi të ashpërsohet lufta midis shqiptarëve etnik dhe maqedonasve, si përfaqsues personal i Kryesuesit të OSBE-së, një pozicion ky që ndron me rotacion çdo vit dhe pozitë kjo e cila kryesohej nga ministri i jashtëm rumun Mircea Xhoana. Unë pata mbështetje të lartë nga Vashingtoni të promovojë dhe tu jap fund luftimeve dhe fillimit të procesit të paqës. Për shembull letra e presidentit Bush dërguar presidentit të Maqedonisë Boris Trajkovski dhe isha involvuar dhe bëja presion të fortë ndaj liderëve legjitim politikë në anën shqiptare qofshin ata nga Maqedonia, Shqipëria apo Kosova ata ti ndalin luftimet dhe ti bindi të angazhohen nën lidershipin politik të Trajkovskit në këtë proces, Collin Powel (Sekretari i jashtëm amerikan-shënimi ynë) dërgoi letër duke i mbështetur përpjekjet e mia, që nxiti vëmendjen e popullit posaçërisht në palën shqiptare”.

Pasi kishte ardhur në Maqedoni e nisi misioni e tij me takime të ndara me përfaqsues të PPD-së, PDSH-së dhe presidentit Trajkovski. Një ditë me thirrjen e tij në Zyrën e OSBE-së në Shkup në bisedë u gjindem unë, Ismet Ramadani dhe Naser Zyberi. Ambasadori Frowik na informoi për mandatin e tij politik dhe qëllimet e ardhjes së tij. Duke e potencuar faktin se ai nuk guxon të takohet me terroristë e la mundësinë indirekte që këshilltari i tij politik të takohet me komandantë lokalë të UÇK-së e të bisedojnë për mundësinë e shpalljes së armëpushimit të dyanshën në aksin Kumanovë-Likovë ku bëheshin granatime të mëdha dhe luftime të ashpra. Nga ana e jonë Ismet Ramadani i premtoi Frowik-ut se ai mund ti bëjë një lidhje këshilltarit të tij politik me komandantë lokalë, gjë që më vonë e kishte bërë.

Gjatë prillit dhe fillimi i majit ne bëmë tre takime pune me Ambasadorin Frowik. Nga ato takime në bazë të informacioneve dhe kërkesave tona Frowik e bëri një plan prej dhjetë pikash për ndalimin e luftimeve, me të cilin plan ishte njoftuar rregullisht presidenti Trajkovski por jo edhe partitë politike maqedonase. Plani Frowik parashihte ndaljen e dyashme të luftimeve në zonat e Kumanovës, intervenimin e organizatave humanitare dhe shëndetsore nëpërmjet Kryqit të kuq ndërkombëtar dhe gjysëmhënës së kuqe, demobilizimin e ushtarëve vendas duke i nxjerrur uniformat ushtarake dhe vazhduar lirshëm si civil, ushtarët që vinin nga Kosova ti nxjerrin uniformat e tyre dhe ta lënë armatimin në istikame dhe në grupe të organizuara të ktheheshin në Kosovë në rutat që i mbante KFOR nën kontroll, të shpallej amnestia e përgjithëshme e ushtarëve të UÇK-së, forcat e OSBE-së dhe KFOR-it javën e parë ta kontrollojnë Zonën ndërsa pas dhjetë ditëve policia e Maqedonisë e përforcuar me policë shqiptarë që ishin të paktë në numër të marrin kujdesin ndaj këtyre fshatrave. Pakoja e dytë e Planit Frowik përmbante fillimin e bisedimeve politike në lëmitë ashtu siç i përcaktuam bashkë si statusi kushtetues i shqiptarëve në Maqedoni (Preambulla) statusi zyrtar i gjuhës shqipe, përfaqsimi i barabartë në organet dhe institucionet e shtetit, regjistrimi i popullatës të gjitha këto të lidhura me ndryshimet kushtetutare për të cilën gjë politikanët maqedonas ishin alergjikë dhe kundërshtonin.

Pas hartimit të Planit Frowik gazetarët maqedonas zbuluan se janë bërë biseda mes presidentit Trajkovski dhe partive politike shqiptare për ndërprerjen e luftës, këtë gjë e politizuan skajshmërishrt dhe ashpër reaguan edhe partitë maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM. Kjo ishte koha kur ishte java e parë e punës së Koalicionit të zgjëruar kur ministreja e jashtme Ilinka Mitreva kërkoi nga Frowik ta lëshoj vendin, gjë që ai e bëri me elegancë.

Para se te merr vendim ta lëshojë vendin Frowik qe akuzuar nga OSBE dhe Departamenti i shtetit se ai kishte punuar kokë më vete dhe nuk kishte përfaqsuar as OSBE-në e as Departamentin e shtetit. Kjo u bë me qëllim që të ulen gjakrat te maqedonasit të cilët akuzonin SHBA-të dhe botën perëndimore se u ndihmojnë shqiptarët.

TAKIMI TE “DORA”- SELIA ALTERNATIVE E PDSH-SË

Bisedimet partiake në lidhje me Planin Frowik PPD dhe PDSH i bënë të ndara sepse ende mes tyre nuk kishin krijuar lidhje miqësie pas qëndrimeve diametralisht të kundërta për konfliktin 2001. PDSH nuk i njihte udhëheqsit e UÇK-së e as që donte të dëgjonte të ulej në një tryezë bisedimesh. PPD mbante qëndrim të kundërt dhe ngulte këmbë që ata ti ndalin luftimet dhe të amnistohen dhe marrin pjesë në bisedimet eventuale politike me palën maqedonase. Midis liderëve politikë të të dy partive Imer Imerit dhe Arben Xhaferit nuk kishte ndonjë miqësi të posaçme pas zgjedhjeve lokale ku PPD në shenje proteste në të gjitha qytetet u tërhoq nga gara për shkak të incidenteve zgjedhore. Liderët nuk kishin mendim të mirë mes tyre. Në një intervistë me njohsin e mirë të luftës Petrit Menaj ( 2004) Dr. Imer Imeri për Arben Xhaferin shprehet kështu: “… Si politikan i atij kalibri që është, dinte të bënte edhe lajka, dinte të bënte edhe hile për konkurentin e vet, që shpesh herë ia kam zënë për të madhe, sepse ka dashur që të ulë të tjerët dhe, vetë të jetë konkurent i pakontenstueshëm, kurse të tjerët të jenë vetëm në shërbim të tij…”

Nisur nga fakti se një ulje në tryezë midis dy liderëve ka qenë e pamundshme për shkak të mospajtimeve mes tyre diku në fillim të majit Miftar Zyberi, një profesor dhe nismëtar i lëvizjeve politike pluraliste atë kohë kishte marrur një nismë të shihet mundësia e takimit të dy partive bazuar në nismën e Arben Xhaferit. Miftari këtë nismë ia kishte transmetuar Prof. Havzi Mehmetit, një ndër veprimtarët e parë për themelimin e PPD-së. Pasi Havziu ma transmetoi kërkesën e Miftarit atij iu përgjigja se një gjë e tillë është e mundëshme poqese edhe ai më shoqëron në atë takim.

Një ditë të fillimit të majit 2001 me Havziun shkuam në selinë alternative të PDSH në ndërtesën ku ishte kafeteria “Dora”. Në takim përzemërsisht na priti zavendëskryetari Menduh Thaçi dhe pas një kohe të shkurtër na u bashkangjit edhe kryetari Arbën Xhaferi. Edhe pse pa dijen dhe mandatin e kryetarit Imeri në takim u morrëm vesht si vijon:

-ti lëmë anësh zënkat e panevojshme politike dhe ti japim përkrahje luftës,

-të bëjmë koalicion të zgjëruar dhe të bëjmë përpjekje për ndaljen e konfliktit,

-të inicojmë pranë partive politike maqedonase dhe faktorit ndërkombëtar dialog aq të kërkuar shqiptaro-maqedonas për ndryshime kushtetutare,

-të bëjmë platformë dhe ekip të përbashkët për bisedimet e ardhëshme shqiptaro-maqedonase,

-Sipas modelit të Këshillit koordinues të partive politike shqiptare në ish Jugosllavi kryesuar nga Dr. Ibrahim Rugova të bëjmë Këshill koordinues mes PPD,PDSH dhe UÇK që katër vitet që vijnë shqiptarët të udhëhiqen në mënyrë të koordinuar dhe të zbatojnë me disiplinë atë që do të merren vesht me palën maqedonase në bisedimet politike,

-që kryetar i Këshillit koordinues të jetë përfaqsuesi politik i UÇK-së Ali Ahmeti,

-që Këshilli koordinues të del me platformën e saj të koordinimit mes partive politike.

Pas takimit e kërkova Dr. Imerin që ta njoftojë për takimin. Edhe pse në ndërkohë dikush e kishte kuptuar se ne kemi pasur takim me udhëheqsit e PDSH (dhe e kishin nxitur mirë e mirë kryetarin se kemi bërë “punë të keqe” pse jemi takuar me Arbenin dhe Menduhin) doktori e pranoi me kënaqësi planin si një rrugë e hapjes së bashkëpunimit midis dy partive.

Tepër u çudita kur disa rivalë xheloz partiakë një javë të tërë propagandonin kundër këtij takimi madje duke u kërcënuar se do të më përjashtojnë nga partia dhjetë ditë më vonë i pashë duke i shkuar pas si lakej doktorit dhe duke u ulur në sallë ku ishte organizuar një drekë mes Arben Xhaferit dhe Imer Imerit dhe aktivistëve tjerë të të dy partive politike shoqëruar nga Veton Surroi dhe Ylber Hysa përderisa unë rija dhe pritja një diplomat në hotelin “Aleksandër Pallas” në Shkup. I painformuar fare se çka ndodhë pasi e hëngrën drekën iu bashkangjita masës dhe aty kuptova se Vetoni dhe Hysa kishin organizuar për të nesërmen (22 maj 2001) një takim në Prizren midis dy liderëve dhe përfaqsuesit politik të UÇK-së Ali Ahmeti.

Për motivet e nënshkrimit të Marrëveshtjes së Prizrenit Arben Xhaferi shprehet kështu :”…Dëgjo Petrit! – tha ai. Ti e di se qysh në fillim UÇK-ja, u etiketua si terroriste e ekstremiste dhe, ne na duhej që ta legjitimonim këtë ushtri dhe luftën e saj. Por, ne ishim në pushtet dhe presionin për mos ta njohur këtë luftë, e kishim të madh, si nga bashkësia ndërkombëtare ashtu dhe nga shteti shqiptar. Por si shqiptar, e ndieja për detyrë që ta përkrahja e ta ndihmonim këtë luftë, pamvarësisht se dukej që nuk ishte e organizuar si duhet. Me ndërhyrjen e miqve tanë nga Kosova, u takuam në Prizren, siç e di edhe ti. Unë, Aliu dhe Imer Imeri ramë dakort, që në përgjithsi, të kërkonim nga shteti maqedon, të drejtat që u ishin mohuar shqiptarëve, ato të drejta që i takojnë ç’do populli…” ( Intervistë Petrit Menaj, 2004).

Ndërkaq ish lideri i PPD-së Imer Imeri shprehet më ndryshe për motivin e takimit dhe për tekstin e Marrëveshtjes së Prizrenit: “….. Natyrisht, subjekti politik të cilin e udhëhoqi Arbëri, si një lider me fundament, ishte një kohë të gjatë në kundërshtim me luftën. Por, me zhvillimin e luftës dhe me ndryshimin e situatës si në front edhe në fushën politike, ndoshta edhe nga presionet e jashtme të cilat unë nuk i di konkretisht, filloj të ndryshojë mendimin, sepse, po dukej që lufta do të korrte fitore. Meqënëse do të fitonte, duhej edhe të përkrahej…Deklarata e Prizrenit, ashtu siç ishte në tekst me thënë të drejtën nuk më pëlqeu, m’u duk shumë e butë, madje larg nga ato përcaktime që kishim përpara dhe unë e kundërshtova, por nuk këmbëngula, sepse nuk doja që të bëhesha shkaktar, që ky takim të dilte i pasukseshëm, që edhe ashtu si ishte ajo deklaratë, kishte domethënien e vet, i jepte një hov luftës për shkak se krijoi një unitet me faktorin politik shqiptar…”

Ky konstatim i Imer Imerit ndoshta mund të ketë ardhur nga shkaku se ky ishte i vetmi dokument ku përfaqsues të PPD-së nuk kishn asnjë germë të shkruar dhe atij i ka ardhur si befasi sepse “… subjekti politik që e udhëhiqja unë, (përgjigjet Imeri)dispononte një potencë intelektuale dhe politike me një kuadër, i cili kishte përvojë dhe dinim, jo vetëm unë, por edhe të tjerët të bënin analizat e duhura. Prej andej, rridhte dhe insistimi im në Prizren, që deklarata të ishte më e fortë. Nëse nuk fitohej krejt nga ajo që ne propozonim të shkruhej, sigurisht do të ishte pak më shumë frytdhënëse se ajo që e nënshkruam….( Intervistë, Menaj 2004).

Marrëveshtja e Prizrenit shkaktoi huti te faktori ndërkombëtar i cili në bazë të sugjerimeve të liderëve tanë politikë kërkonte izolimin e liderëve të luftës dhe dhënien përkrahje të forcave politike legjitime por megjithate ishte faza e parë e nismës për zgjidhje paqësore të konfliktit dhe unifikimit të faktorit ushtarak dhe politik si dhe legjitimit të faktorit ushtarak.

KOALICIONI I ZGJËRUAR DHE FILLIMI I BISEDIMEVE

Para se të bëhej takimi në “Dora” PPD mbante qëndrimin se lufta mund të merr fund poqese të gjitha partitë politike bashkërisht angazhohen të gjejnë zgjidhje. Për këtë ishte e nevojshme që VMRO-DPMNE dhe PDSH të pajtohen për krijimin e një koalicioni të zgjëruar katërpatish VMRO, PDSH, PPD dhe LSDM. Me këtë të fundit kishim rënë dakord se konflikti nuk mund të ndalet me aksione ushtaraku por me biseda politike. Aksioni i përbashkët me LSDM ishte ta bindim komunitetin ndërkombëtar që ta bind VMRO-në dhe PDSH-në për krijimin e një Qeverie të zgjeruar. Pasi në takimin e përbashkët PPD-PDSH kjo e fundit u pajtua për një gjë të tillë atëherë Lupço Georgievskit nuk i mbeti gjë tjetër përveç se Solanës dhe Robertson-it tia komunikojë lajmin se është dakord për krijimin e një Koalicioni të zgjëruar të të katër partive më të mëdha politike VMRO,PDSH,LSDM dhe PPD.

Koalicioni i zgjëruar u votua në Kuvend më 13 maj 2001. Unë pata preferuar postin e zavendësministrit të jashtëm edhe pse më është propozuar ai i zavendëskryeministrit, dhe ashtu u bë. Pasi u votua qeveria e re e zgjëruar presidenti Trajkovski me një letër drejtuar kryetarit të Komisionit të arbitrazhit për ish Jugosllavi, ish kryetarit të Gjykatës kushtetuese të Francës e juristit të mirënjohur botëror Robert Badinter për ndihmë juridike për kërkesat shqiptare. Pas kësaj letre Robert Badinter kishte ardhur në bisedë konsultative me presidentin Trajkovski. Një ditë nga fillimi i qershorit mora një telefonatë nga ambasada franceze në Shkup për bisedë me Badinter-in në lidhje me kërkesat shqiptare. Në rezidencën e ambasadorit francez François Terral patëm një bisedë njëorëshe ku e njoftova gjërë e gjatë për kërkesat shqiptare me theks të posaçëm për demokracinë konsensuale, statusin e gjuhës shqipe, statusin kushtetues të shqiptarëve, përfaqsimin proporcional dhe mbrojtjen nga majorizimi i deputetëve maqedonas si shkak i numrit të tyre dominues në parlament. Të nesërmen po në atë Rezidencë patën një drekë pune sëbashku me Imer Imerin dhe Robert Badinter dhe ambasadorin François Terral. Pas kësaj Badinter u kthye në Paris dhe sërish erdhi në Shkup më 26 dhe 27 qershor ku pati takime pune me përfaqsuesit e partive politike shqiptare. Dy ditë rradhazi në lokalet e Ambasadës franceze në Shkup Badinter i dëgjoi kërkesat shqiptare nga grupi i përbashkët i përbërë nga Imer Imeri,Naser Zyberi, Ismet Ramadani dhe unë nga PPD dhe Arbën Xhaferi e Menduh Thaçi nga PDSH-ja.

Në një intervistë për gazetën e njohur pariziane “Le Monde” Badinter deklaron si vijon: “…duket se nuk mund të praktikohet demokracia konsenzuale sepse konsenzusi nuk zgjidh asgjë. E drejta e konsenzusit e pamundëson qeverisjen e një vendi i cili gjindet në vështirësi . Duhet të gjehen forma të reja të plotësimit të kërkesave legjitime shqiptare, thekson ai. Kjo është e mundshme nëpërmjet dimensionit të vetëqeversijes lokale, të një demokracie shumë të decentralizuar, të një demokracie nga afër…”