Dëshmia e komandant Hoxhës: Ja kush janë autorët e Sopotit, përballja ime me Verushevskin


Xhezair Shaqiri- komandant Hoxha në një shkrim të tij dërguar në INA ka shpjeguar detaje për rastin e Sopotit. Kush janë dyshimet, autorët e mundshëm dhe përballja me institucionet e asaj kohe, pasi që ishte deputet i PDK-së.

Ja rrëfimi i tij:

Në kohën kur ndodhi rasti i Sopotit, ku u vranë dy ushtarë të NATO-s nga shpërthimi i një mine antitanks, unë isha deputet me mandat 2002- 2006. Por pas Sopotit ndodhën edhe disa shpërthime si njëri në hekurudhën që lidhte Kumanovën me Preshevën, afër fshatit Vaksincë, por edhe shpërthime tjera në Kumanovë dhe Shkup.

Ne si ish-komandant prisnim inskenime të tilla dhe pas mbarimit të konfliktit këto shpërthime filluan të na shqetësojnë, sidomos kur nisën arrestimet e ish-pjestarëve të UÇK-së.

Shqetësimet ishin se këta të rinj e banorë që u arrestuan nuk kishin lidhje me këto raste dhe se as ndonjë përgatitje ushtarake për aksione të tilla duke pasur si cak zonat e banuara me popullatë. Por edhe si UÇK nuk ka pasur formacione të tilla që veprojnë në vendbanime civile. Ishim të shqetësuar sidomos për vrasjen e dy ushtarëve të NATO-s, forcës mike dhe që aspak skishte të bënte me banorët.

Filluan dyshimet dhe hetimet tona me disa shokë, ku pista e dyshimeve dhe e vërteta ishte se këto aksione i ka përgatit shërbimi sekret serb dhe ai maqedonas, apo më mirë të themi se personi që kishte organizuar këto aksione moti kohë ishte i njohur si bashkëpunëtor i UDB-së dhe DSK-së.

Këto dëshmi tona që kishim në atë kohë ia paraqitëm ambasadorit të NATO-së, Nikolas Bigman, i cili dha urdhër shërbimet e tij dhe në terren i konfirmoi dyshimet tona. Këto dyshime në atëkohë ja kemi prezantuar edhe ish-ministrit të brendshëm Hari Kostov, ish-ministrit të drejtësisë, Ixhet Memeti, ish-drejtorit të DSK, Zoran Verushevski dhe zëvendësit të tij shqiptar, por edhe OSBE. Dëshmitë dhe të dhënat që kishim i kemi paraqitur edhe në një tubim me deputetët e zonës dy, me ministrin Hari Kostov dhe Verushevskin. Por e vetmja fjalë që u tha në atë takim ishte ajo e Verushevskit i cili me buzëqeshje cinike ma ktheu: Zotëri deputet si duket ju jeni bindur që këta persona janë të pafajshqëm!

Përgjigja ime ishte: Jo që jemi të bindur për pafajësinë e tyre, por jemi të bindur se edhe ju e dini pafajësinë e tyre dhe këtë po e konfirmoni me vetë faktin se personat që i kanë vendosur mjetet shpërthyese nuk po i arrestoni. Deputetët e BDI-së atëkohë thonin se duhet të del dikush dhe të tregon se kush e ka vendosur minën në Sopot se nuk vendos kush nga jashtë mina në mes të fshatit.

I vetmi atëkohë që i besonte pafajësisë së të akuzuarve ishte ambasadori Bigman nga Holanda, i cili në një takim në shtëpinë time në Shkup më pat thënë:

Zotri Shaqiri a thua policia e Maqedonisë nuk mund t’i gjen këto deshmi si ne!

Përgjigja ime ishte: Unë jam deputet dhe ju ambasador, jo policë. Policia e Maqedonisë i din fajtorët por nuk i arreston, sepse janë vetë të implikuar në këto procese që janë kundër UÇK-së.

Dhe në vitin 2008 ambasadori edhe pse ishte në pension erdhi dhe dha dëshminë e tij se banorët e Sopotit nuk janë fajtor.

Më shumë se një vit mua në Tanushë më kanë vizituar hetues të Prokurorisë Speciale dhe ua kam dhënë dëshminë për Sopotin dhe rastin e Avni Ajetit, fije për fije. Para katër muajve të njejtën dëshmi e kam konfirmuar edhe para prokurorit special këtu në Shkup.

Sot u liruan si të pafajshëm shumë shokë tanë të UÇK-së, pas shumë viteve burg. Por kush do tua kompensojë vuajtjet dhe vitet e humbura. A thua si do ta ndjejnë veten ata ish-funksionarë që nuk ngritën zërin atëkohë, sepse po ta kishin ngritur dhe kishin këmbëngulur padyshim se shumë vite më herët do të kishte dalur e vërteta në shesh. Turp…kësaj radhe s’dua tua përmend emrat…./INA