Deputetët e Maqedonisë, më të shtrenjtit në rajon: 40 mijë euro në 6 vite


Teksa qeveria aktuale dje ishte në opozitë, rregullisht e akuzonte shumicën e atëhershme për kosto të lartë sidomos në shpenzimet për një deputet, kjo duke iu referuar dhe një ligji të cilin e konsideronin jo normal, sidomos atë për transport, sot ajo nuk po lëviz gishtin të ndryshojë diçka.

Të dhënat që i publikoi Qendra për gazetari hulumtues “SKUP”, tregojnë se nga viti 2010 deri në vitin 2016, 120 deputetët e Maqedonisë kanë marrë nga arka shtetërore afre 5 milion euro vetëm për shpenzime transporti. Mesatarisht çdo deputet ka kërkuar kompensim në vlerë prej 40 mijë eurosh për 6 vite, ndërsa në nivel vjetor në xhirollogaritë e tyre janë transferuar rreth 6,5 mijë euro, për benzinë, pike-pagesa dhe shpenzime të tjera gjatë rrugës. Është shumë i dukshëm krahasimi me deputetët e rajonit. Ata edhe pse kanë kaluar më shumë kilometra, duke e pasur parasysh se vendet fqinje janë më të mëdha për nga territori se Maqedonia, megjithatë ata për shpenzime transporti kanë kërkuar më pak para.

Kostoja e transportit të deputetëve maqedonas, krahasuar me atë të kolëgeve rajonalë, 2010-2016:

Maqedoni: 40 mijë euro për deputet
Slloveni: 36 mijë euro për deputet
Bullgari: 19 mijë euro për deputet
Kroaci: 14 mijë euro për deputet
Kosovë: 6 mijë euro për deputet

Deputetët e qeverisë së re këtë vit patën mundësi që ta ndryshojnë gjendjen me shkurtime të luksit, por siç duket e kanë shumë të vështirë të heqin dorë nga privilegjet që ligji ua mundëson. Për vitin e ardhshëm, gjithashtu në disponim kanë 1.3 milion euro para të popullit për shpenzime transporti.

Opozita e tanishme nuk e komenton këtë çështje, ndërsa koordinatori i grupit të deputetëve të LSDM-së, Tomisllav Tuntev, problemin e adresoi tek infrastruktura, por edhe tek ajo se Maqedonia nuk ka transport publik adekuat.

“Nuk më ka shkuar as në fund të mendjes që unë 5 orë të ditës sime do t′i kaloj në veturë, nëpër rrugë katastrofale dhe të pasigurta. Nga Ohri në Shkup dhe pas, do të ulesha në tren të shpejtë, për një orë e tridhjetë minuta do të arrija, siç bëjnë kolegët tonë Holandez, Gjerman, Zviceranë. Po të kishim zgjedhje për transport publik, ne do të votonim për të”, u shpreh Tuntev.

Deputetët nuk janë të vetmit që opinioni i njeh si shpenzues të mëdhenj gjatë udhëtimit nga shtëpitë e tyre deri në Shkup.

Reagime të ashpra pati pasi që ambasadori amerikan, Xhes Bejli, zbuloi sa para për të njëjtën gjë kanë marrë anëtarët e KSHZ-së.