Delegacioni qeveritar e vizitoi shtëpinë e djegur të familjes Zylbeari


Delegacioni qeveritar sot e vizitoi shtëpinë e djegur të familjes Zylbeari në Tetovë dhe shprehu ngushëllime për tragjedinë në të cilën jetën e humbën nëna Fatimja me katër fëmijët e saj minoren.

Në delegacionin qeveritar ishin ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovksi, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Mila Carovska dhe zëvendëskryeministri përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sistem politik Hazbi Lika, ndërsa ishin të mbështetur nga kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi me bashkëpunëtorët e saj.

Ministri Spaovski, tha se vizita është që t’ju japin ngushëllime në emër të kryetarit Zaev dhe në emër të anëtarëve të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

“Kjo është një tragjedi e madhe që ka ndodhur në Tetovë e cila na ka tronditur të gjithëve, tragjedia është më e madhe për familje, për qytetarët e Tetovës dhe për Republikën e Maqedonisë. Kjo duhet të jetë një mësim për të gjithë ne që bashku të përfshihemi në përmirësimin e kushteve për jetë në Maqedoni me qëllim që të pamundësohen tragjeditë e tilla në të ardhmen. Sot e dorëzuam ndihmën e cila është simbolike nga ana e Qeverisë, sollëm vendim për ndihmë të familjes në vlerë prej 300.000 denarëve dhe me ndihmën që e dhuroi kryetarja e komunës Teuta Arifi që t’i shërbejë familjes dhe të mund të vazhdojnë me jetën”, deklaroi ministri Spasovski.

Në lidhje me atë nëse dihen arsyet për zjarrin, Spasovski u përgjigj se inspektimi nga ana e SPB Tetovë ka përfunduar ndërsa procedura për ekspertizë është në vijim.

“Kur do të përfundojnë ekspertizat atëherë do t’i konfirmojmë edhe arsyet. Sipas informacioneve të para është e mundur që zjarri të kishte shpërthyer nga defekti dhe vjetërsimi i instalimit ose nga ndonjë aparat i ngrohjes”, theksoi ministri Spasovski.