Debat për zbatimin e Ligjit për gjuhët nga viti 2008


Informimi për Ligjin e gjuhëve nuk është rregulluar sistematikisht, ndërsa më shumë se gjysma e të punësuarve të anketuar në institucionet në nivel qendror asnjëherë nuk kanë pasur përvojë me kërkesa dhe lëndë në një gjuhë tjetër nga ajo maqedonase, ndërsa kur ka, reagimi më i zakonshëm është të kërkohet ndihmë në komunikimin nga kolegu i cili e flet gjuhën në fjalë.

Këtë e tregojnë rezultatet e analizës së zbatuar “Perceptimet dhe përvojat e udhëheqësve dhe nëpunësve të Administratës shtetërore për implementimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve nga viti 2008 në institucionet shtetërore”, të prezantuara në kuadër të konferencës së sotme “Ligji për përdorimin e gjuhëve nga viti 2008 në institucionet shtetërore”.

Mes të punësuarve në Ministritë e Arsimit, Transportit dhe Lidhjeve dhe të Punës dhe Politikës Sociale, të cilët janë përfshirë me hulumtimin, rezultatet e analizës tregojnë se mesatarisht qëndrimi ndaj ligjit nuk është as negativ, as pozitiv. Sipas udhëheqësve, pengesa më serioze për implementimin e qëndrueshëm të ligjit janë mungesa e kuadrit të kualifikuar dhe mjetet materiale.

Kryetarja e Shoqatës “Vlera të përbashkëta” Razije Jonuzi, e cila është organizatore e ngjarjes, tha se konferenca ka për qëllim zhvillimin e zbatimit të Ligjit për gjuhët përmes dokumentimit dhe ndjekjes së zbatimit të Ligjit nga viti 2008 në institucione të përzgjedhura të pushtetit qendror.

Sipas Besa Arifit, analiza për herë të parë ofron të dhëna të matshme të cilat qartë tregojnë për nivelin e implementimit të këtij ligji.

“Mënyra e tillë e zbatimit lë shumë të punohet edhe më tutje, sepse thjeshtë pothuajse është i pakënaqshëm niveli në të cilin ky ligj është implementuar në praktikë”, deklaroi Arifi.

Si arsye për atë, Arifi i potencon mungesën e mekanizmave të rregullimit të implementimit dhe faktin se zbatimi varet shumë nga vullneti i udhëheqësve në sektorin në të cilin zbatohet ligji.

E pyetur se sa kanë nevojë shqiptarët për ligj të tillë në mjediset në të cilat nuk jetojnë, Arifi tha se në suaza të këtij hulumtimi puna e njëjtë nuk është përfshirë dhe së pari duhet të hulumtohet në këtë aspekt.

Analiza është përpunuar nga Nikolina Kening dhe Sheruze Osmani-Ballazhi në kuadër të projektit “Komunikim mes qytetarëve dhe institucioneve në nivel qendror në pajtim me Ligjin për gjuhët”, të financuar nga Fondacioni shoqëri e hapur Maqedoni dhe Bashkimi Evropian dhe është publikuar në shtatë gjuhë, shqipe, maqedonase, turke, serbe, boshnjake, rome dhe vllahe.