Çudira me politikanët shqiptarë, Veseli ka 15 këshilltarë


Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj në seancën e Kuvendit të Kosovës ka reaguar ashpër lidhur me numrin e këshilltarëve të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Selmanaj ka shtuar pyetjen se si është e mundur që Veseli të ketë 15 këshilltarë, ndërsa ish-kryetarët tjerë ti’ kenë nga 2, 4 ose 7 këshilltarë.

Deputeti i LDK-së po ashtu ka kërkuar të bëhen publike emrat e këshilltarëve, ndërsa vuri në pah se një pjesë e këshilltarëve të Veselit marrin paga, ndërkaq nuk janë fare në punë, madje as në Kosovë.

“Nuk do e kisha problem numrin po ta kuptoja çfarë nevoja ka kryetari i Kuvendit për kaq shumë këshilltarë? Çfarë pune bëjnë ata?

Çka ka ndryshuar nga koha e kryetarëve të mëparshëm, që me 2 apo 4 këshilltarë e kryenin punën më mirë se kryetari aktual që ka 15; pra vetëm 1 më pak se Kryeministri i vendit?

A mos kemi një garë mes pushtetesh për numrin e këshilltarëve apo kemi ndërtuar kabinete politike brenda feudeve politike për ambicie dhe qëllime krejtësisht personale.

Ta shtrojmë çështjen edhe nga një perspektive tjetër. Cila është kostoja e buxhetit te shtetit për këtë armate njerëzish?”, u shpreh Selmanaj.