Çka pas dorëheqjeve në Komisionin për Antikorrupsion?


Pas dorëheqjeve të kryetarit të KSHPK-së Igor Tanturovski, dhe më herët edhe të anëtarit të Komisionit dhe kryetar i mëparshëm Goran Milenkov, mbrëmë dorëheqje dhanë edhe anëtarët Sejdi Halili, Farie Aliu dhe Zhaklina Damçevska.

Dorëheqjet i përshëndeti kryeministri Zoran Zaev dhe porositi se është e mundur çlirimi i institucioneve derisa ka transparencë, llogaridhënie dhe përgjegjësi. Thotë se Maqedonisë i duhet Komision serioz i Antikorrupsionit, i cili do të praktikojë të gjitha praktikat e nevojshme ndërkombëtare dhe do të jetë syri vigjilent në ndjekjen e pushtetit ekzekutiv dhe të gjithçkaje që ka të bëjë me partë e popullit.

Zëdhënësi i Qeverisë Mile Boshnjakovski tha se duhet të urohet vendimi dhe se është mirë që erdhi koha që të jepen dorëheqje për shkaqe morale. Sipas tij, duhet të pritet që të përfundohet i gjithë procesi që të shihet se si do të shkojë emërimi i anëtarëve të rinj të Komisionit.

Dorëheqjet janë dorëzuar pas raportit revizor të DAP-së për punën e antikorrupsionerëve, në të cilin ishin raportuar dyshime për pagesën e urdhëresa fiktive të udhëtimit dhe shpenzimin e parave të buxhetit.

Raporti revizor nga DAP ka konstatuar se antikorrupsionerët kanë pagur shpenzime për rrugë për ardhje në seanca. Pagesa është bërë në bazë të urdhëresave fiktive të udhëtimit.

Kanë lëshuar tre urdhëresa për udhëtim për të njëjtën ditë, gjegjësisht se një anëtar i komisionit të njëjtën ditë ka qenë jashtë shtetit por edhe në seancë të komisionit, qëndron në raportin e revizionit.

Anëtarët e antikorrupsionit kanë marrë para nga buxheti edhe në bazë të asaj se kanë treguar kilometrazhe më tepër, gjegjësisht ata që nuk kanë jetuar në Shkup kanë paraqitur më shumë kilometra që të arrijnë deri në Shkup.

Përveç këtyre parregullsive në raportin e revizionit si shpenzime të panevojshme të parave të buxhetit theksohen edhe shpenzime për dreka dhe darka në restorante të cilat anëtarë të Komisionit i kanë bërë gjatë udhëtimit jashtë shtetit, si dhe shpenzime për marrjen me qira të banesave.