Civil raporton për parregullsitë gjatë votimit

OJQ Civil në deklaratën e parë për media pas fillimit të votimit për Referendumin, i cili po zhvillohet sot në Maqedoni, thonë se janë paraqitur disa parregullsi, transmeton Portalb.mk

Në fillim janë vërejtur parregullsi të vogla, si mos funksionimi i UV dritave në disa vendvotime në Petrovec. Në disa lagje të Shkupit u vërejtën vonesa gjatë hapjes së vendvotimeve. Nëse vonesa është me e gjatë se 15 minuta, ato vendvotime duhet të vazhdojnë votimin edhe pas orarit të mbylljes së tij.

Të dukshme janë edhe dëshmitë për thyerjen e heshtjes zgjedhore në shumë komunë në vend. Disa grafitë janë edhe në muret e vetë shkollave ku votohet, siç ishte rasti në Jegunovce dhe Pëtrovec.

Vëzhguesit e Civil në komunën e Butelit ishin dëshmitarë të një sjellje arrogante dhe të papërshtatshme të një vëzhguesi të akredituar nga një OJQ. Sipas raportit, bëhet fjalë për një situatë ku një votues në mënyrë të sjellshme ka pyetur se ku gjendet vendvotimi i caktuar, dhe vëzhguesi i është përgjigjur “Shko pyet Zaevin ku është vendvotimi … Voto në varreza…”, dhe më pas ka thënë edhe fjalë fyese. Civil ka në dispozicion detaje dhe numrin e vendvotimit si dhe emrin e vëzhguesit dhe apelon tek të gjithë të involvuarit në procesin zgjedhor që të jenë të respektueshëm dhe të respektojnë kodeksin e vëzhguesve dhe ligjin zgjedhor.

Në ballkonin e ndërtesës përballë shkollës fillore “Vëllezërit Milladinovci” në Strugë, tre persona, identitetet e të cilëve janë të njohur për Civil, fotografojnë të gjithë votuesit që shkojnë për të votuar në këtë shkollë.

Në shkollën fillore “Toli Zordumis” në Kumanovë, vendvotimin 955 një çift bashkëshortor nuk ka qenë në listë, dhe i kanë dërguar në vendvotimin 955/1 ku e kanë gjetur vetëm emrin e bashkëshortit dhe jo të bashkëshortes, dhe në këtë rast gruaja nuk ka pasur mundësi të votojë, pasi që emri i saj nuk ka qenë në listën zgjedhore.

Në VV 955, gjatë grisjes së letrës, është grisur ku është vendosur vula. Letrën e kanë ngjitur me ngjitës dhe ia kanë dhënë votuesit. Në këtë mënyrë është shkelur e drejta e votimit, sepse të gjithë nga komisioni gjatë numërimit te votave, do  të dinë se si ka votuar personi.

Dy votues nuk janë në listën zgjedhore në komunën Qendër.

Në profilin e Facebook-ut “Bojkoto referendumin” është shkruar një post që thotë: “Fotografoni dhe incizoni tradhtarët e popullit maqedonas që do të votojnë nesër! Pas referendumit më shpesh do ti publikojmë”. Ky postim ka rreth 80 shpërndarje, por pothuajse të gjithë ata që e kanë shpërnda janë nga vendet tjera ose me profile të rrejshme.

Në shkollën fillore “Adem Jashari” në Çair në VV 2879 një person ka bërë selfie se si vendos letrën në kutin e votave. Ai u paralajmërua nga anëtari i komisionit zgjedhor.

Civil apelon për respektim maksimal të së drejtës për votë dhe inkurajon votuesit që të shfrytëzojnë këtë dhe në rast të pengesës apo parregullsive ti lajmërojnë ato.