Çështja e referendumit mollë sherri

Ministri i shtetit për Evropën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Roth, gjatë vizitës në Shkup deklaroi, se do të ishte tragjike nëse rruga e mëtejshme drejt Bashkimit Evropian do të pengohej, shkruan DW.

Liderët e katër partive më të mëdha në Maqedoni pas takimeve maratonë kanë arritur marrëveshje për zgjedhjen e KSHZ-së, për Ligjin për financim të partive politike dhe për qeverinë teknike sipas Modelit të Përzhinës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por nuk është arritur marrëveshje për referendumin. Kryeministri dhe lider i LSDM-së Zoran Zaev thotë, se nuk është arritur marrëveshje për referendum për emrin me kryetarin e VMRO-DPMNE-së opozitare Hristijan Mickovski. Edhe pas lëshimeve dhe plotësimit të tri kërkesave të opozitës, Mickovski është përpjekur të shmanget nga referendumi. Ai nuk dëshiron që Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së dhe e NATO-s, vëren kreu i LSDM-së Zoran Zaev.

“Mickoski thotë, se dëshiron në BE dhe në NATO, ndërsa nuk dëshiron të mbështesë asnjë hap drejt atij qëllimi. Mickoski nuk e di çfarë dëshiron. E shfrytëzoj rastin t’i drejtohem të gjithë anëtarëve të ndershëm të VMRO-DPMNE-së, për ju dera është e hapur njësoj siç është e hapur dera për suksesin e tërë Maqedonisë dhe për suksesin e të gjithë qytetarëve. Bëjeni përzgjedhjen e duhur. Maqedonia do të bëhet anëtare e BE-së dhe e NATO-s, ndërsa populli i Maqedonisë përjetësisht do të jetë popull i Maqedonisë dhe përjetësisht do të flasë gjuhën maqedonase”, dekalroi kryeministri Zaev.

Pyetja e referendumit e diskutueshme

Partitë bazuar, sikurse theksuan pas takimit, kanë qëndrime të kundërta lidhur me pyetjen e referendumit, por edhe karakterin e tij se a duhet të jetë i detyrueshëm apo konsultativ. Qeveria që drejtohet nga Zaev, insiston që pyetja kryesore e referendumit të jenë e lidhur me procesin e integrimit euroatlantik të vendit, apo të jetë në formën se “a jeni për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me pranimin e Marrëveshjes me Greqinë”.

“Opinioni duhet ta dijë se Mickovski mori atë që deshi për KSHZ-në, sipas kushteve që kërkonte VMRO-DPMNE-ja. Fitoi qeverinë teknike, mori ligjin për financimin e partive politike. Kushti i vetëm për të ishte që të ftojë votuesit dhe ithtarët e VMRO-DPMNE-së që të votojnë në referendum. Ai zgjodhi bojkotin dhe t’i shuajë shpresat për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE. Qëllimi i tij është që referendumi të mos ketë sukses”, vlerëson  Zaev.

Leri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski thotë, se qytetarët në referendum duhet të deklarohen vetëm për një çështje edhe atë përmes pyetjes së përcaktuar qartë dhe të kuptueshme. Opozita është për integrimin euroatlantik të vendit, por jo me manipulime, thotë Mickoski. “Ne nuk heqin dorë nga normat kushtetuese, shumica parlamentare është ajo që e shpall referendumin dhe e përcakton pyetjen. Pozicioni ynë është i qartë, pyetja e referendumit duhet të jetë për një çështje dhe jo e lidhur me aspekte të tjera. Këtu është dallimi”, deklaron Mickovski.

Partitë shqiptare pro referendumit

Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti u bëri thirrje partive që interesat shtetërore t’i vendosin mbi ato partiake. “Dallimet janë në pyetjen që duhet të vihet në referendum. Natyrisht, rrjedha normale e referendumit varet nga pyetja që do të bëni. Në këtë rast, dua të theksoj se ne të gjithë duhet të vendosim interesat e shtetit përpara interesave të partisë. Dhe mendoj se në këtë situatë, opozita duhet të vendosë para së gjithash interesat shtetërore”, deklaroi Ahmeti.

Bilall Kasami lider i krahut të BESË-s opozitare shprehu bindjen, se partitë politike duhet të punojnë që referendumi të jetë i suksesshëm, ndërsa qytetarët të kenë mundësi ta shprehin vullnetin e tyre në raport me Marrëveshjen e Prespës.

Kuvendi do të duhet të zbatojë marrëveshjet e dakorduara në takimin e liderëve për ligjin për financimin e partive politike, për Ligjin për Qeverinë dhe për zgjedhjen e anëtarëve të KSHZ-së. Deri në mesnatë edhe pse paralajmëruan, VMRO-DPMNE-ja opozitare nuk ka dorëzuar formalisht listë me kandidatët të saj në kuvend, gjë që pengon vazhdimin e procedurës për zgjedhjen e anëtarëve të KSHZ-së. E pikërisht është KSHZ duhet ta zbatojë referendumin për Marrëveshjen me Greqinë. E paqartë është nëse lidërët do të organizojnë takim të ri për të arritur marrëveshje për referendumin.

Michael Roth në Shkup

Ministri shtetëror përgjegjës për Evropën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë Michael Roth, i cili po qëndron për vizitë në Maqedoni, ka deklaruar se Maqedonia ka bërë një arritje historike dhe do të ishte tragjike nëse rruga e mëtejshme drejt Bashkimit Evropian do të pengohej. “Pa zgjidhjen e çështjes së emrit nuk ka perspektivë konkrete për në BE dhe NATO. Tani është bërë një hap në atë drejtim. Ky është një sukses i madh, arritje historike dhe do të ishte tragjike nëse rruga e mëtejshme drejt BE-së do të pengohej, nëse nuk ekziston gatishmëri nga ky vend në lidhje me çështjen e BE-së, Kushtetutës dhe ligjit zgjedhor. Duhet të ketë bashkëpunim konstuktiv. Qeveria mban përgjegjësi të veçantë për të gjithë këtë, por edhe opozita mban përgjegjësi”, ka thënë Roth.