Çështja e emrit, Sela reagon për anashkalimin e opozitës shqiptare


Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka dënuar ashpër anashkalimin e opozitës shqiptare në bisedimet për çështjen e emrit.

“Interesat e shqiptarëve në tryezën e bisedimeve nuk i përfaqëson Ali Ahmeti, pasi nuk ka mbështetje të qytetarëve në zgjedhjet e vitit 2016. Me këto elemente vetëm se shtohen ndarjet në shoqëri. Nëse do të duhet që çështja e emrit të vendoset me referendum, a i duhet kryeministrit 50 mijë votat e Aleancës për Shqiptarët, ose të Lëvizjes Besa, prandaj në këto negociata të merr pjesë edhe opozita shqiptare. Ne si Aleancë nuk e kemi ndërmend ta bllokojmë këtë çështje të rëndësishme, por do ta ngremë zërin në opinion. Më shqetëson fakti që Ahmeti nuk u mërzit që opozita nuk është ftuar në takim. Ai është dashur që para se të shkoj në takim të thërrasë në takim gjitha partitë parlamentare shqiptare”, tha Sela.

Disa ditë më parë në një takim kokë më kokë Kryeministri ftoi presidentin e vendin Gjorge Ivanov, Liderin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski dhe liderin e BDI-së Ali Ahmeti të cilët i informoi për propozimet e ndërmjetësuesit për çështjen e emrit Metju Nimic dhe konkludimet nga takimi me kryeministrin grek Aleksis Cipras në Davos.

I pyetur nga gazetarët se a do të votojë nënkryetarët e ri të parlamentit, lideri i Aleances për Shqiptarët Ziadin Sela tha që nuk do të votojë sepse nuk mund që edhe kryeparlamentari edhe nënkryetari të jenë nga BDI-ja, pasi që i njëjti nuk përfaqëson as 1500 vota, duke aluduar në Vesel Memedin.