Çështja e emrit, Nimic sot në Athinë, nesër në Shkup


Ndërmjetësuesi i OKB-së për çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë sot do të qëndrojë në Athinë, ndërkaq nesër pritet që të arrijë në Shkup, njofton Portalb.mk.

Kombet e Bashkuara thanë se mund të bëhet përparim në zgjidhjen e kontestit 26-vjeçar midis Athinës dhe Shkupit në lidhje me emrin e Maqedonisë. Zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, u tha gazetarëve se “ka pasur një moment pozitiv në bisedimet e ndërmjetësuara nga OKB-ja” dhe se “zgjidhja mund të gjendet me frymën e duhur të kompromisit nga lidershipi dhe popujt e të dyja vendeve”.

Shefi i diplomacisë greke Nikos Koxias ka konfirmuar se Greqia po përgatit marrëveshje me katër pika:

Propozimet për emrin, irredentizmin
Marrëdhëniet rajonale të Maqedonisë
Marrëdhëniet ndërkombëtare të Maqedonisë
Masa për agjendë pozitive

Sipas Koxias, marrëveshja ende është në fazën e formulimit, fillimisht do të duhet të prezantohet në Qeverinë e Greqisë, ndërkaq më pas edhe në atë të Maqedonisë. Nëse e njëjta pranohet do të paraqesë bazë për zgjidhje ne problemit me emrin, ndërkaq duhet që të marrë dritë jeshile nga parlamentet e të dyja vendeve dhe njëkohësisht do ta hapë rrugën e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së.

“Në këtë marrëveshje do të kyçen të gjitha temat që janë hapur në lidhje me emrin. Veçmas kapitulli për irredentizmin, por edhe për temat që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit, të integrimit të saj në organizatat ndërkombëtare dhe agjendës pozitive, dhe mënyrën se si mund të zhvillohen marrëdhëniet tona”, ka dhënë Koxias, duke sqaruar se pala greke ende e përgatit draft marrëveshjen, ndërkaq pritet që nga mesi i muajit tjetër t’i dorëzohet Qeverisë së Maqedonisë.