Çavkov në paraburgim me kërkesë të PTHP për shkak druajtjes nga arratisja


Ish-drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike Mitko Çavkov, i akuzuar në lëndën për ngjarjet në Kuvend më 27 prill prej sonte është në paraburgim në burgun “Shkupi” për shkak druajtjes nga arratisja.

Siç kumtoi Prokuroria Themelore Publike, prokurori kompetent i PTHP për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka parashtruar Propozimin për përcaktimin e masës paraburgim për M.Ç në pajtim me nenin 165 paragrafi 1 pika 1 nga Ligji për procedurë penale.

“Pas informacioneve të marra dhe për shkak frikës se i akuzuari do të arratiset dhe do të fshihet me qëllim ta shmang përgjegjësinë penale, prokuroria kërkoi nga Gjykata Themelore Shkupi 1 – Shkup t’i përcaktohet masa paraburgim. I akuzuari është pjesë e lëndës që zhvillohet për ngjarjet në Kuvend nga 27 prilli i vitit 2017, ndërsa për të cilin seanca kryesore ka përfunduar dhe është caktuar seancë për publikimin e aktvendimit”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë.