Çaushogllu: Gjithmonë e përkrahim Maqedoninë, presim hapa konkretë për FETO-n


Në MPJ po vijon takimi i ministrit të Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov me shefin e diplomacisë turke Mevlut Çaushogllu, i cili qëndron për vizitë zyrtare dyditore në Republikën e Maqedonisë Veriore.

Sipas paralajmërimit zyrtar, në takim do të bisedohet edhe për marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale midis dy vendeve tradicionale mike dhe mundësitë për përforcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat  me interes reciprok.

Çaushogllu disa orë para arritjes në Shkup në profilin e  tij në tuiter shkroi se  gjithmonë e ka përkrahur Maqedoninë dhe do të vazhdojë që ta bëjë këtë, por pret hapa konkrete lidhur me FETO-n dhe se kjo është e rëndësishme  për Ankaranë, por gjithashtu edhe për të ardhshmen e Shkupit.

Dimitrov dhe Çaushogllu paradite në MPJ zyrtarisht do ta lëshojnë në përdorim pajisjen teknike për digjitalizimin e arkivit diplomatik të Ministrisë. Projekti u përkrah nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Turqisë, ndërsa u financua edhe nga agjencia  turke për bashkëpunim dhe zhvillim – TIKA. Të dy  ministrat do të kenë edhe pres konferencë të përbashkët.

Ministri Çaushogllu  duhet që të takohet edhe me kryetarin e Qeverisë Zoran Zaev dhe me nënkryeministrin  e angazhuar për Çështje Evropiane Bujar Osmanin.