Carovska: Nuk do të rritet mosha e pensionimit


Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska në konferencë për media sot tha se nuk do të rritet mosha për pension, transmeton Portalb.mk.

Ajo tha se për momentin janë duke u kryer analiza në bashkëpunim me Bankën Botërore për përmirësimin e gjendjes së Fondit pensional dhe sigurimit invalidor.

“Pensionet për momentin janë stabile dhe të sigurta,  ne nuk interesohemi vetëm për pensionistët e tanishëm, por edhe për të ardhmit. Qeveria e VMRO-DPMNE-së tre herë e ka rritur borxhin në fond dhe po punojmë për zgjidhjen e këtij problemi. Tani nuk mund të zbuloj detaje sepse akoma po punohen analizat dhe vlerësimet, shumë shpejt do mbarojmë dhe do ju informoj se çfarë do të ndërmarrim”, tha Carovska.

Ajo tha se janë duke përgatitur ligj të ri për mbrojtje sociale ku ndryshimet kryesore do të jenë që të sigurohet ndihmë financiare e lartë dhe zhvillim të shërbimeve sociale sepse tani nuk ekziston sistem për shërbime. Diskutimi publik pas këtij vendimi ligjor do të jetë në maj, ndërsa të gjitha punëtoritë sociale nga qershori deri në tetor do të shkojnë në trajnim që të marrin njohuri për menaxhim.

“Në pjesën e mbrojtjes së fëmijëve dhe grupeve të prekura në rrjedhë është ndërtimi i qendrës sociale shëndetësore për autizëm me ndihmë financiare nga ambasada amerikane, janë duke u ndërtuar dy qendra ditore në Kumanovë për fëmijë me pengesa, kah fundi është ndërtimi i qendrës për sindromën down në Shkup, ndërsa në fund të vitit pritet të përfundojë edhe ndërtimi i qendrës për paralizë cerebrale në Prilep”, tha Carovska.