Boshnjakovski: Mercedesi – simbol i harxhimit jotransparent do të shkohë në ankand


Simboli i harxhimit jotransparent që e bënte qeveria e kaluar, “mercedesi” pas vendimit të djeshëm të Qeverisë, do të shkojë në ankand publik me çmim fillestar prej 230.000 eurove, informoi sot zëdhënësi qeveritar, Mile Boshnjakovski.

Ankandi, siç sqaroi, do të bëhet përmes rrugës elektronike.

Lidhur me lëvizjen e mysafirëve të lartë që vijnë në Maqedoni, Boshnjakovski tha se kjo do të sigurohet si edhe deri tani, me standardet më të larta të sigurisë dhe se nuk do të ketë kurrfarë dallimi pas shitjes së “mercedesit”.

Automjeti u furnizua në kohën e qeverisë së VMRO-DPMNE-së, dhe siç u publikua në “bombat”, për të janë paguar rreth 600 mijë euro.

Për furnizimin e “mercedesit”, PSP ka hapur lëndë “tank”, për të cilën po zhvillohet procedurë para Gjykatës penale. Janë akuzuar ish kryeministri Nikolla Gruevski, ish ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska dhe ish ndihmës ministri në MPB, Gjoko Popovski.