Borisov dhe Zaharieva anulojnë takimet me Ivanovin


Takimet e kryeministrit bullgar Bojko Borisov dhe ministres bullgare të Punëve të Jashtme Ekaterina Zaharieva me presidentin e Maqedonisë Gjorge Ivanov, i cili gjendet për vizitë zyrtare në Sofje, janë anuluar, kumtoi shërbimi qeveritar për media i Qeverisë të Bullgarisë.

“Nuk duam të përzihemi në punët e brendshme të fqinjit tonë. Qëndrimi ynë është parimor dhe i qartë, si dhe i gjithë bashkësisë ndërkombëtare. Qeveria bullgare nuk sheh arsye të shfrytëzohet për debate të brendshme politike në Shkup. Thelbësore, për zhvillimin e ardhshëm të shtetit tonë fqinj është integrimi në BE dhe NATO dhe kjo të mos vihet në pikëpyetje”, theksohet në kumtesën nga Qeveria e Bullgarisë.

Presidenti Ivanov prej sot gjendet për vizitë zyrtare në Bullgari. Sipas paralajmërimeve nga kabineti i tij, përveç me homologun e tij presidentin bullgar Rumen Radev, në Sofje duhej të takohej edhe me Borisovin dhe Zaharievën.