Bogov: Guvernatori i ri të zgjidhet deri më 21 maj


Zgjedhja e guvernatorit të ri ka lënë në hije ngjarjen ku në Bankën Popullore jepeshin parashikimet e fundit për rritjen e ekonomisë së vendit. Guvernatori aktual, Dimitar Bogov, i cili propozohet sërish për të njëjtin post nga Presidenti Ivanov, thotë se për funksionimin normal, duhet të ketë kryetar në institucionin. Në të kundërtën, rrezikohet stabiliteti monetar, i cili në rast krizash gjithmonë është aktual.

-Disa vendime janë ekskluzivisht të guvernatorit. Vendimi për normat e interesit, vendimi për likuiditetin, vendimet për sektorin bankar, kështu që këto do të ishin situata serioze që do të paraqitnin kërcënim serioz për stabilitetin e përgjithshëm të ekonomisë së Maqedonisë – deklaroi Dimitar Bogov- Guvernator i BPRM-së “.

Bogov shprehet se meqë është propozuar, e ka pranuar kandidaturën. Ai shtoi se përveç tij dhe Fatmir Besimit pas kandidaturës së të cilit qëndron BDI-ja, e sipas informacioneve të Alsat M edhe të LSDM-së, ka edhe emra tjerë që mund të jenë guvernator.

-Të bëhet ajo që është më e mira në këtë moment dhe të ketë arsye për të gjitha kombinimet e mundshme, kombinime që përfundojnë me zgjedhjen e guvernatorit – theksoi Dimitar Bogov – guvernator i BPRM-së “.

Ndryshe, problemi rreth zgjedhjes së guvernatorit të ri është se ai zgjidhet me propozim të presidentit, por me 61 votë në Kuvend. Momentalisht shumica parlamentare LSDM dhe BDI mund të zgjedhin guvernator, por nuk mund të dalin me propozime Nga ana tjetër Ivanovi nuk ka siguruar 61 deputet që do të qëndronin pas propozimit të tij. Nga BDI-ja paralajmëruan se për të zgjedhur kandidatin e tyre, është duke u shqyrtuar edhe ndryshimi i ligjit dhe mundësia që institucionet tjera të propozojnë guvernator. Por, Bogovi tha se ligji aktual është i harmonizuar me rekomandimet evropiane dhe se nuk do të ishte mirë që i njëjti të ndryshohet. Ndryshe, Banka Popullore pret që këtë bruto prodhimi vendor të rritet për 3.2% por me kusht që të ketë investime private por edhe investime shtetërore kapitale. Pas informacionit se për tre muaj vetëm 7% janë realizuar investimet kapitale, Bogov nuk deshi të tregojë se sa do të zvogëlohej projektimi nëse investimet janë vetëm 50% e asaj që është planifikuar./alsat m