Bllokohen pronat e VMRO-DPMNE-së


Me kërkesë të kësaj Prokurorie Publike, gjykatësi i procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Shkup 1 solli vendim me të cilin është shqiptuar masa e përkohshme për sigurimin e pronës së partisë politike VMRO-DPMNE, kumtoi Prokuroria Publike Speciale.

Me masën janë ngrirë gjithsej 69 patundshmëri, në mesin e të cilave edhe objekti në të cilin ndodhet selia e partisë.

“Me këtë masë ndalohet tjetërsimi i pronës konkrete si edhe dhënia me qira e së njëjtës. Veprimet janë ndërmarrë në kuadër të lëndës “Talir”, duke e pasur parasysh atë që ekziston mundësia e njëjta të tjetërsohet deri në fund të procedurës”, thonë nga PPS.

Hetimi për “Talir” ka të bëjë me financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE-së nga viti 2009 deri në fund të vitit 2015, ndërsa ekziston dyshim për 4,9 milionë euro të keqpërdorura.

Në hetim dyshohen 14 persona, ndërsa në mesin e tyre është edhe lideri i mëparshëm i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski. Pjesë e hetimit është ndërtimi i selisë kryesore të partisë në Shkup nga kompania ndërtimore Beton./Gazeta e Pavarur