“Blic”: Hojt Ji me siguri ambasador i ri i SHBA-së në BeH dhe jo në Maqedoni


Diplomati amerikan, Hojt Brajan Ji do të emërohet ambasador i ri i SHBA-së në BeH dhe jo në Maqedoni, siç është paralajmëruar paraprakisht prej Departamentit Shtetëror, shkruan gazeta “Blic”, duke iu referuar informacioneve jozyrtare të qarqeve diplomatike në Beograd.

Burimi i “Blic”, personalisht ka dëshmuar në Shkup për ndryshimin e mundshëm të planit të Uashingtonit.

Megjithatë, akoma bëhet fjalë vetëm për spekulime, pasi që mandati i ambasadorit aktual amerikan në Shkup, Xhes Bejli zgjat deri në verë, deri atëherë edhe zyrtarisht do të bëhet e ditur se ku do të vendoset Ji, shton “Blic”, duke vlerësuar se emërimi i tij eventual në Sarajevë do të ketë ndikim më të madh në marrëdhëniet me Serbinë për shkak të relacioneve Beograd-Banjalukë.

Hojt Ji për momentin është zëvendësndihmës i sekretarit amerikan për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike.