Bisedimet LSDM-VMRO, opozita kërkon amnisti!?


VMRO-DPMNE-ja siç mëson jozyrtarisht Alsat do të kushtëzojë arritjen e konsensusit nacional për ligjet reformuese me amnistimin e të akuzuarve për 27 prillin. Partia e Hristijan Mickoskit i shmanget qëndrimit. Derisa deputetët, anëtarë të grupit negociator thonë se qëndrim konkret duhet kërkuar nga subjekti, zëdhënësi i partisë Ivo Kotevski thotë se nuk është i informuar dhe se për këtë duhet prononcuar deputetët që marrin pjesë në bisedime. Ndërkohë edhe pas dhjetëra takimeve, opinioni nuk është i informuar rreth zhvillimeve brenda grupeve të punës aq më pak agjendës. Ekspertët vlerësojnë se opinioni duhet të jetë i informuar rreth konsensusit nacional mes LSDM dhe VMRO-DPMNE-së për ligjet reformuese dhe jo vetëm. Sipas tyre, qytetarët duhet të jenë në rrjedha me proceset, në të kundërtën nuk ka bazë të konsensusit kombëtar. Profesori i të drejtës kushtetuese, Mersim Maksuti thekson se qytetarëve nuk guxon t’u mohohet e drejta e informimit.

“Pa mëdyshje se aktorët politik përfshi pozitën dhe opozitën duhet të jenë më transparent në qasjen e tyre dhe qëndrimet e tyre rreth opsioneve dhe mënyrave për të cilat gjejnë zgjidhje për dalje nga situata të caktuara”, tha për Alsat-M, Mersim Maksuti, profesor.

Deri më tani janë zhvilluar dhjetëra takime, ndërsa partitë nuk japin detaje rreth ligjeve prioritare. Partia e Hristijan Mickoskit kërkon edhe rikthimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve në procedurë nga fillimi, por derisa LSDM nuk prononcohet për një vendim të tillë, BDI këmbëngul që ligji të kalojë i tillë. Takimet synojnë arritjen e konsensusit për ligjet, miratimi i të cilëve kërkon 2/3 e votave, si Ligji për dëshmitarët e mbrojtur, Ligji për ATO-në, Ligji për informatorët, Ligji për ndjekje të komunikimeve elektronike, Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndryshimet në Ligjin për KSHZ-në dhe ndryshimet në Ligjin për Prokurori Publike, për çka VMRO-DPMNE-ja kërkon që të ndryshohet mënyra e zgjedhjes së kryeprokurorit, respektivisht emërimi i tij me 2/3 e votave dhe me badenter.