Bilalli: Shqiptarët duhet të solidarizohen me Maqedonasit për emrin


Blloku i partive shqiptare në një vijë se nuk do të qëndrojnë indiferent dhe do të bëhen pjesë e zgjidhjes së kontestit me emrin me Greqinë.

Përderisa priten rezultatet e para të raundit të dytë të negociatave në Nju Jork mes Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen e emrit, partitë shqiptare me qëndrime të qarta – të bëhen pjesë aktive e procesit të zgjidhjes dhe nëpërmjet referendumit shqiptarët të pranojnë ose refuzojnë zgjidhjet e mundshme. Lideri i BDI-së Ali Ahmeti për Alsat – M deklaroi se emri i ri i Maqedonisë duhet të reflektojë realitetin multietnik të shtetit. Ahmeti njëkohësisht shtoi se emrat “SllavoMaqedonia” dhe “Maqedonia Kombëtare” janë dy emrat e vetme të papranueshëm për shqiptarët.

“Qeveria e kaluar nuk kishte guximin të flet për këtë çështje ndërsa kjo qeveri po, por shqiptarët nuk do të pranojnë emër që nuk pasqyron historin dhe pozitën e shtetit. Shqiptarët nuk do të jenë indiferent për këtë çështje, Maqedonia është edhe shteti dhe vendi ynë”, tha Ahmeti.

Qëndrim identik ka edhe Aleanca për Shqiptarët. Zëdhënësi i këtij subjekti politik, Flakron Bexheti për “Nezavisen Vesnik” deklaroi se partia e tij nuk është kundër referendumit përshkak se pikërisht aty shqiptarët do të tregojnë mendimin e tyre për zgjidhjet e mundshme.

“Problemi me emrin është pyetje që ka prekur Maqedoninë dhe qytetarët e saj, dhe në këtë kontekst shqiptarët kundër vullnetit të tyre një periudhë të gjatë janë mbajtur peng i këtij procesi i cili është i ndërlidhur me procesin euroatlantik të Maqedonisë. Kjo do të thotë se shqiptarët doemos të marrin pjesë aktive dhe të jenë pjesë e ekipit negociues, si në kuptimin politik, ashtu edhe në kuptimin e jetës shoqërore ku duhet të jenë pjesëmarrës aktiv në debate të ndryshme. Ne përkrahim çdo tentim i cili e çon Maqedoninë një hap më afër zgjidhjes për çështjen e emrit, por ajo ide duhet të parafytyroj realitetin multietnik të shtetit. Me fjalë tjera për ne është e papranueshme që emri të mbajë para ose prapashtesën “Sllavo” dhe ky është qëndrim që disa herë e kemi theksuar edhe nëpërmjet liderit të partisë Zijadin Sela. Mendojmë se qeveria aktuale duhet të jetë e gatshme për kompromise eventuale dhe ti parasheh të gjitha mekanizmat për zgjidhje të shpejtë duke kyçur edhe referendumin, moment kur shqiptarët do të tregojnë mendimin e tyre”, deklaroi Bexheti.

Në kundërshtim me partitë politike, një pjesë e analistëve politik në vend, nuk e shohin referendumin si ide pozitive. Mersel Bilalli për “Nezavisen Vesnik” tha se shqiptarët duhet të kenë durim dhe kuptim dhe të solidarizohen me bashkëqytetarët maqedonas për çështjen e emrit, sepse në të kundërt, siç tha ai, çdo provokim dhe shkëndijë më e vogël do të shkon në dobi të ndikimit prorus në Maqedoni.

“Shqiptarët në Maqedoni duhet ti kuptojnë emocionet kolektive të bashkëqytetarëve maqedonas dhe nëpërmjet asnjë deklarate të mos provokojnë ose nxisin situata të cilët do të komplikonin më tej procesin e zgjidhjes së çështjes së emrit. Realisht, kur janë në pyetje zgjidhjet dhe alternativat e mundshme, ata nuk kanë asnjë pikë të përbashkët e cila do të mund ti provokonte shqiptarët, siç një kohë u fliste për emrin SllavoMaqedonia. Këta opcione janë jashtë loje dhe në tavolinën e negociatave janë alternativa të reja, që domethënë shqiptarët mund të ndihmojnë procesin me sjellje të matur dhe njëkohësisht të tregojnë solidaritet pozitiv sepse para nesh është periudha më e vështirë e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE. Për këtë arsye, shqiptarët duhet të jenë më të matur, çdo skenar tjetër pos këtij, negativisht do të ndikojë në proceset dhe do të jetë në favor të ndikimit prorus në Maqedoni”, tha Bilalli.

Blerim Ismaili