Bilalli: Emri, me daljen në referendum do të krijohet situatë absurde


Çështja e emrit duhet të zgjidhet në gjashtë mujorin e parë dhe për nevojën e tejkalimit të kontestit, janë të vetëdijshëm të dyja palët, thekson në Argument në TMV2, profesori universitar Mersel Bilalli.

Sipas tij, secili propozim që do të dalë para palëve në negociata, duhet të marrë gjithashtu konsensus të brendshëm tek shtetet, sidomos tek pala grek që kërkon emër me përkufizim gjeografik.

“Nuk besoj se dikush është i sigurt si do të jetë emri përfundimtar sepse në lojë janë dy-tre kombinime. Si duket e “re” më shumë afirmohet, reklamohet por të shohim a do të jetë kështu, sepse potencova se duhet të kemi ndryshim në palën greke që është konsensusi, a do të jenë ato të pajtimit që nocioni të këmbehet me nocioni “kohë” siç është Maqedonia e re”, tha Mersel Bilalli, profesor universitar.

Qeveria e Shkupit në mënyrë serioze i është qasur zgjidhjes së këtij kontesti, ngaqë është përcaktuar për jetë më të mirë dhe evropiane, vlerëson Bilalli.

“Strukturat që menaxhojnë me shtetin janë të vetëdijshëm se Maqedonia definitivisht duhet këtë problem ta zgjidh që të integrohet, të merr thirrje në NATO dhe startojë bisedimet në BE”, shtoi Bilalli.

Nëse Maqedonia del në referendum, do të krijohet një situatë absurde, ku do të ketë humbës absolut dhe fitues absolut, sepse në rastin e Maqedonisë, me referendum tentohet të hidhet përgjegjësia nga politikanët tek qytetarët, vlerëson Bilalli.

/TVM2/