Bexheti: Zaevi kërkoi nga unë të ndikojë në anëtarët e Këshillit gjyqësor që të ndërrohet kryetari i një gjykate


Kryetari i komunës së Sarajit, Blerim Bexheti sot ka deklaruar se Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka ngritur procedurë kundër tij pasi e ka refuzuar kërkesën e kryeministrit Zoran Zaev “të ndikojë në anëtarët e Këshillit gjyqësor që të ndërrohet kryetari i një gjykate”.

Ai ka thënë se më 17 korrik kryeministri i është paraqitur dhe ka kërkuar prej tij të ndikojë te disa anëtarë të Këshillit gjyqësor që të votojnë për shkarkimin e kryetarit të një gjykate në shtet.

“Unë i thash se atë nuk mund ta bëj dhe i thash se nga përvoja ime nuk është mirë edhe ai të merret me kësi punë”, ka deklaruar Bexheti në pres konferencë.

Ai ka shtuar se dy javë më vonë Antikorrupsioni, sipas tij, procedurë jostandarde në krahasim me mënyrën e saj të punës, në shpejtësi ngrit procedurë kundër tij.

“Prandaj konsideroj se edhe ky Komision është lëshuar në manipulime të politikës ditore dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare. Kallëzimet penale kundër anëtarëve të Antikorrupsionit të cilët kanë votuar për diçka të tillë më janë përgatitur, ka shtuar Bexheti duke shtuar se është i sigurt se Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka ngritë procedurë kundër tij pasi ka refuzuar t’u thotë anëtarëve të Këshillit gjyqësor se si të votojnë.

KSHPK ka ngrit procedurë për ndërtesat pa leje në Matkë dhe ka lajmëruar kallëzim penal për Bexhetin.