Beteja për Qeverinë, Zaev dhe Thaçi kanë biseduar për shumicë të re parlamentare?


Edhe PDSH bashkë me dy krahët e Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët sipas burimeve qeveritare të “Gazetës së Pavarur” janë duke biseduar për formim të shumicës së re parlamentare, ndoshta edhe për diçka më tepër. Në periudhë kur në Kuvend në një vend qëndrojn të pavotuar ligje me peshë të madhe për reformat që Komisioni Evropian i kërkon nga Maqedonia, në horizont është formimi i shumicës së re më stabile parlamentare. Sipas shkrimeve të mediave shqiptare, kryeministri Zoran Zaev në bisedë telefonike me liderin e PDSH-së Menduh Thaçi ka biseduar për mundësin që PDSH-ja të bashkangjitet në strukturat qeveritare.

Në shumicën e re parlamentare sipas kalkulimeve, duhet të kyçen tre deputetët e Lëvizjes Besa, më saktësisht krahu i Kahremanit, i cili në disa raste deklaroi se nëse kryeministri Zaev në adresë të partisë dërgon ofertë, atëherë e njejta nga strukturat e partisë do të analizohet.

Afërsia e liderit të PDSH-së Menduh Thaçi me përkrahësin kryesorë të Kahremanit, Adnan Ismaili, mendohet të jetë kyç për formimin e grupit parlamentar mes PDSH-së dhe krahut të Shkupit të Lëvizjes Besa e cila do të ketë pesë deputetet, e cila më pastaj duhet ti bashkangjitet shumicës parlamentare.

Se ky skenar mund të realizohet, në mënyrë indirekte e paralajmëroi edhe kryeministri Zoran Zaev i cili në bashkëbisedim me gazetarët tha se shumica parlamentare momentalisht është stabile dhe e njejta ka përkrahjen e 70 deputetëve. Nga LSDM-ja as nuk e demantojnë por as nuk e konfirmojnë këtë lajm.

Në pako me krahun e Shkupit, sipas informatave, planifikohet pjesë e qeverisë të jetë edhe koalicioni i Lëvizjes Besa krahu i Kasamit me Aleancën për Shqiptarët, koalicion i cili numëron katër deputetë dhe me këtë do të rrumbullaksohet numri 70 i shumicës parlamentare ashtu siç dhe mohon dhe vetë kryeministri Zaev.

Edhe pas tetë muajve pas zgjedhjeve parlamentare, shumica parlamentare ashtu siç është për momentin po ballafaqohet me problem rreth kuorumit për votimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të thjeshtë. Problemi është edhe më i madh nëse dihet fakti që opozita maqedonase në krye me VMRO – DPMNE-në, përshkak të arrestimeve të deputetëve të saj, bindshëm janë në qëndrimin se do të jenë pjesë e Parlamentit vetëm kur do të bisedohet për ligjin për përdorimin e gjuhëve, por jo edhe për ligjet tjera.

Blerim Ismaili