BESA po ndahet në dy parti: Kasami në qeveri, grupi i Shkupit në opozitë


Lëvizja BESA u nis si një parti kundër sistemit, por duket se tashmë do të bëhet pjesë e këtij sistemi që kundërshtoi që në orët e para të saj.

Për mënyrën se si po zhvillohen ngjarjet, “infoshqip” shkruan se partia pritet të ndahet në dysh, ku njëra pjesë e drejtuar nga Bilall Kasami dhe grupi i tij në qeveri, kurse grupi tjetër me Kahremanin, Rexhepin, Gashin dhe të tjerët, në opozitë.

I gjithë ky skenar i ndarjes bazohet në dokumentet e shkarkimit të Bilall Kasamit nga delegatët e Lëvizjes BESA më datë 6 janar.

Mësohet se lista ka 61 emra, një prej tyre ka firmosur dy herë, ndërsa kur të hiqen edhe nënshkrimet e dy delegatëve të shkarkuar më 4 janar nga Kasami, Afrim Gashit dhe Zejd Rexhepit, mbetet se numri i nënshkrimeve legjitime është në fakt 58, që gjithësesi paraqet shumicë të numrit të delegatëve.

Por në bazë të deklaratës së Bilall Kasamit para disa ditësh, sipas statutit të partisë, për shkarkim të kryetarit nevojten nënshkrimet e dy të tretës së delegatëve.

Po që se kjo është e vërtetë, atëherë në bazë të të dhënave të lartëpërmendura mund të pritet që Gjykata Administrative të hedh poshtë vendimin e këshillit të Lëvizjes Besa për shkarkimin e Kasamit, shkruan infoshqip.

Krahu i ushtruesit të detyrës së kryetarit të Lëvizjes Besa, Nexhbedin Kahremani për Alsat M kanë paralajmëruar se po që se gjykata nuk vendos në favor të vendimit për shkarkimin e Kasamit, Lëvizja Besa do të ndahet në dy parti.

E gjithë kjo lëvizje brendapartiake besohet se ka filluar me synimet e kryetarit Kasami për të shfrytëzuar boshllëkun e lënë nga Sela në qeveri për t’u bërë pjesë e Qeverisë, gjë për të cilën nuk kanë qenë të pajtimit një pjesë e udhëheqësisë së kësaj partie.

Po që se vazhdojnë gjërat të lëvizin në drejtimin e deritanishëm, Lëvizja Besa mund të ndahet në dy parti, krahu i Kahremanit do të ketë tre deputet, ndërkohë që krahu i Kasamit do të mbetet me dy deputet, që gjithësesi do të jenë të mjaftueshëm për të arritur krijimin e një shumice të re parlamentare me 59 deputetët e LSDM-së, 10 deputetët e BDI-së dhe deputetin Vesel Mehmedin.