Besa e ‘Shkupit’ mban sot kongresin në Tetovë


Lëvizja Besa, krahu i Shkupit, do të mbajë sot kongresin e saj të parë ku do të zgjedhë strukturat partiake dhe kryetarin e partisë. Orhan Murtezani nga Lëvizja Besa thotë se organet kompetente të partisë kanë bërë të gjitha përgatitjet për kongresin e sotëm.

“Në këtë periudhë Komisioni për përgatitjen e kongresit është marrë me ristrukturimin e nëndegëve dhe degëve dhe përgatitjen e kongresit. Gjatë procesit të ristrukturimit janë rithemeluar ose rizgjedhur mbi 200 nëndegë dhe 28 degë në nivel republikan dhe nesër më datë 18 shkur Lëvizja BESA do të mbajë kongresin e parë të saj ku mbi 500 delegatë do ta zgjedhin kryetarin e ri të partisë dhe Këshillin Qendror të partisë – shkruan Orhan Murtezani nga Lëvizja Besa.

Në lidhje me kandidaturat për kryetar të partisë, Murtezani thotë se ende nuk ka asgjë konkrete dhe se janë marrë vesh që ata të deponohen para delegatëve në Kongres.

Kongresi i parë i Lëvizjes BESA krahu i Shkupit do të mbahet në Pallatin e Kulturës në Tetovë. Nga partia njoftojnë se punimet do të fillojnë në orën 11:00, ndërsa pjsesa protokollare do të zgjasë deri në orën 12:00.