BESA e Afrim Gashit: Bilall Kasami së shpejti do të ulet në karrigen e të akuzuarve

Fraksioni i Lëvizjes BESA me kryetar Afrim Gashi sot nëpërmjet konferencës për media që u mbajt në Shkup ka njoftuar se 32 themelues juridik të kësaj partie kanë dorëzuar padi për vepër penale “falsifikim i dokumentacionit” për siç e quajnë ata, ish kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami. Sipas tyre, ky i fundit së shpejti do të ulet në karrigen e të akuzuarve në Gjykatën Themelore Shkupi 2, transmeton Portalb.mk.

“Ashtu siç edhe kishim njoftuar, dje në Prokurorinë Publike, në emër të 32 themeluesve juridik të Lëvizjes BESA, nga gjithsej 57, është dorëzuar padia për vepër penale ndaj ish kryetarit të Lëvizjes BESA, për abuzim të detyrës zyrtare të përfaqësuesit juridik të Lëvizjes BESA, para organeve të drejtësisë si dhe për falsifikim të dokumentacionit të Lëvizjes BESA para gjykatës përkatëse. Po ashtu në Gjykatën Administrative është dorëzuar kërkesa për anulimin e falsifikimit që e ka bërë ai në dokumentet e Lëvizjes BESA në Gjykatën Themelore Shkupi. Pas kësaj, ai dhe klani i tij, disa prej të cilëve aq shumë e kanë dëshirë të thirren në legalitet para organeve të drejtësisë, kurse si bëhet puna kur ai dhe ata e kanë kidnapuar partinë politike, për interesa të ngushta të tyre, individuale dhe klanore. Duhet ta kenë të qartë se ish kryetari i Lëvizjes BESA së shpejti do të ulet në bankën e të akuzuarit për falsifikim“, tha sekretari i njërit prej dy fraksioneve të BESA-s, Skender Rexhepi.