Besa dhe Aleanca me kandidat të përbashkët për president!

Zgjedhjet presidenciale po bëhen temë gjithnjë e më aktuale. Ato pritet të shpallen në shkurt ndërsa të mbahen në muajin prill. Të gjithë flasin për një kandidat konsensual, por emra konkret askush nuk jep. Televizioni 21 nga burime të tij jozyratisht mëson se dy partitë opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja “Besa” mund të dalin me një kandidat të përbashkët. Emri që TV21 ka mësuar është Ilaz Kadriu, i cili vjen si ide e shoqatave të diasporës. Ai është nga Kërçova ndërsa për momentin jeton në Çikago të SHBA-ve. Kadriu është nënkryetar i “Lidhjes së Diasporës Shqiptare për Maqedoninë”, shoqatë kjo që kohëve të fundit duket të jetë angazhuar edhe në unifikim të opozitës shqiptare në Maqedoni.

Në këtë fotografi të shkrepur më 28 nëntor 2018, në takimin e Ziadin Selës dhe Bilall Kasamit me zyrtarë të Departamentin Amerikan të Shtetit në Uashington, duket edhe Ilaz Kadriu, ndërsa burime të TV21 thonë se nismëtar të këtij takimi ishte pikërisht “Lidhja e Diasporës Shqiptare për Maqedoninë”. Nga “Besa” opozitare thonë se Ilaz Kadriu është kandidat i pranueshëm për ta.

“Jemi të gatshëm të përkrahim kandidat që do të jetë figurë mbipartiake, qoftë edhe i propozuar nga shoqatat e diasporës, figurë që do të reflektojë unifikim më të madh dhe gjithëpërfshirës për përfaqësimin shqiptar në Maqedoni. Ilaz Kadriu është kandidati i pranueshëm për Lëvizjen “Besa”, njoftuan nga Lëvizja Besa.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se ende nuk e kanë hapur temën e kandidatit për president, andaj nuk dhanë qëndrim të prerë nëse Ilaz Kadriu mund të jetë kandidati i përbashkët mes tyre dhe “Besës”.

“Akoma s’kemi asnjë vendim në lidhje me zgjedhjet presidenciale. Kryesia Qendrore e Aleancës për Shqiptarët në lidhje me këtë temë do të diskutojë në mbledhjen e radhës”, njoftuan nga Aleanca për shqiptarët.

E përderisa tek opozita shqiptare tashmë mund të përflitet një emër për kandidat të përbashkët për president, partitë e tjera mbeten gojëkyçura në këtë çështje. Partnerët e koalicionit qeverisës LSDM dhe BDI ende nuk japin asnjë emër konkret, ndërsa mbrëmë zëvendëskryeministri Bujar Osmani tha se deri më tani janë dakorduar për konceptin e presidentit konsensual. Emër konkret nuk ka as opozitarja VMRO-DPMNE. Sekretari gjeneral i saj Igor Janushev sot tha se konkursi për kandidat i VMRO-DPMNE-së për president do të jetë i hapur deri më 31 janar. Më pas do të shqyrtohen kandidaturat, ndërsa me kandidat VMRO-DPMNE-ja mund të dalë pas konventës së partisë që pritet të mbahet më 16 shkurt.