Bekteshi nuk do të kërkojë nga motra e tij që të braktisë vendin e punës

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi porositi se nuk ndjen përgjegjësi morale dhe nuk do të kërkojë nga motra e tij ta braktisë vendin e punës në SHA MEPSO, për shkak se nuk është e punësuar në Ministrinë e Ekonomisë, është e rritur, nuk jeton me atë, është e martuar dhe vendosë vetë për jetën e saj. Përgjegjësi morale do të kishte ndjerë vetëm nëse konfirmohet se ka ndikuar në ndonjë punësim, mirëpo ka garantuar se nuk e ka bërë me asnjë prej të afërmve të tij.

“Nuk kam ndikuar që të punësohet në MEPSO dhe nuk kam të drejtë që të kërkoj të tërhiqet nga vendi i punës. Sikur që nuk kam pasur ndikim gjatë punësimit të motrës sime në MEPSO, kështu nuk do të duhet të kisha ndikim dhe të kërkoj që të tërhiqet ose të mos tërhiqet nga vendi i punës. Ky do të jetë vendimi i saj. Ashtu siç nuk kam ndikuar që të punësohet, nuk kam të drejtë t’i them se çfarë vendimi të ndërmarrë për statusin e saj”, deklaroi Bekteshi në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve pas hapjes së diskutimit publik tematik për propozim-ligjin për efikasitet energjetik të Odës Ekonomike të Maqedonisë.

Ai theksoi se në demokraci nuk mund të pritet nga personat që i udhëheqin institucionet në vend të përzihen në vendimet e të afërmve të tyre çfarë duan të punojnë dhe në cilin drejtim do të lëvizë jeta e tyre. Theksoi se në Ministrinë e Ekonomisë nuk është punësuar asnjë i afërm i tij.

Në pyetjen se ndërkohë në SHA ELEM është punësuar Nertilla Useini Kaba, gruaja e vëllait të gruas së tij, Bekteshi u përgjigj se nuk ka  lidhje gjaku me të, ai jeton në Shkup, ndërsa ajo jeton në Strugë dhe theksoi se nuk ka kurrfarë mundësie të ndikojë në punësimin e saj ashtu siç nuk ka pasur edhe për punësimin e motrës së tij.

“Në kompetencat e Ministrisë së Ekonomisë me vendim të ri është vetëm Resurse Energjetike të Maqedonisë. Kompanitë e tjera energjetike nuk janë në kompetencë të Ministrisë. MEPSO është në kompetencë të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, ndërsa ELEM në kompetencat e Qeverisë”, potencoi Bekteshi dhe shtoi se ushtruesit e funksioneve publike për çdo ditë duhet të japin sqarim nëse prej tyre kërkohet që të tregojnë për punësim të “brezit të katërt, të pestë dhe të shtatë dhe për gruan e vëllait të gruas së ministrit”.