Bekteshi: Kemi rritje të prodhimtarisë industriale

Sipas Entit Shtetëror për Statistikë, indeksi i prodhimit industrial në dhjetor të 2018 në krahasim me muajin dhjetor të 2017 ishte 7.9%. Nëse shohim punën e sektoreve, prodhimi industrial në sektorin e minierave dhe nxjerrjen e gurëve në vitin 2018 krahasuar me dhjetor 2017 u rrit me 4.6% ,në industrinë e përpunimit shënojmë rritje prej 6.1% ndërsa në sektorin e furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar kemi rritje prej 20.0%, njofton ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

“Me këto të dhëna pozitive, ne jemi më afër qëllimit të rritjes së konkurrencës së industrisë vendore, bazuar në njohuri, inovacione dhe hulumtime që çojnë në rritje dhe zhvillim, duke krijuar biznes stimulues dhe klimë investuese dhe duke mbështetur ndërmarrjet për të përmirësuar aftësitë e tyre konkurruese. Zbatimi i politikës industriale do të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm të vendit bazuar në diversifikimin dhe modernizimin e ekonomisë duke krijuar kushte për prodhimin e produkteve konkurruese, rritjen e punësimit dhe rritjen e eksporteve.

Sipas grupeve kryesore industriale, prodhimi në dhjetor të 2018, krahasuar me dhjetorin e 2017, shënon rritje tek energjia me 23.9% , mallra ndërmjetëse, përveç energjisë me 4.6%, mallra kapitale me 2.4% dhe mallra jo të qëndrueshëm për konsum të gjerë prej 10.5%, ndërsa rënie vërehet tek mallrat e konsumit të qëndrueshëm me 10.6%”, theksoi Bekteshi.