BEG do të ngrohë edhe nga muaji tetor


Pavarësisht njoftimeve nga Qyteti i Shkupit se nga vjeshta ata do ta marrin përsipër shpërndarjen e energjisë termike, nga Ballkan Enerxhi Grup (BEG) e mohojnë një gjë të tillë. Nga udhëheqja e  kompanisë thonë se edhe sezonin e ardhshëm të ngrohjes do të vazhdojnë me shpërndarjen dhe furnizimin e rregullt të Shkupit. Drejtori i Përgjithshëm Koçovski thotë se BEG ka licencë 35 vjeçare, që do të thotë se ata do të vazhdojnë të punojnë si më parë.

Pa asnjë dilemë do të ketë një fillim të qëndrueshëm dhe të besueshëm të sezonit të ngrohjes, konsumatorët nuk duhet të kenë frikë nga kjo. Kompania jonë, si financiarisht, ashtu teknikisht dhe me personel, është e gatshme të vazhdojë punën e suksesshme. Po, ne kemi një licencë për 35 vjet – tha Dimitar Koçovski, drejtor i përgjithshëm i BEG.

Nga qyteti i Shkupit thonë se planifikojnë të marrin sistemin e shpërndarjes së ngrohjes qendrore në bazë të procedurave ligjore pa u bërë dëm. Detajet se si do ta bëjnë këtë do të shpallen kur të zbatohet plani. Lidhur me kërkesën për falimentimin e kompanisë BEG Prodhimtaria, e cila është pjesë e Ballkan Enerxhi Grup, drejtori thotë se procedura e falimentimit nuk do të hapet, sepse kompania është e qëndrueshme financiarisht.

Në rrjedhë është një zgjidhje gjyqësore me një kompani që ka një kërkesë, për të cilën konsiderojmë se është e pabazë, është një mosmarrëveshje e vazhdueshme që është e vogël. Larg është kompania jonë nga falimentimi – deklaroi Dimitar Koçovski, drejtor i BEG.

Nga udhëheqja e kompanisë thonë se kanë një reduktim në shpenzimet e punës, por ende bëhen përllogaritjet për çmimin e ngrohjes qendrore. Kjo varet nga Komisioni Rregullator i Energjetikës. Korrigjimi i ri do të bëhet në gusht. Rreth ligjit të ri që parashikon vendosjen e kalorimetrit për çdo radiator në ndërtesat e reja, nga BEG thonë se ata janë të gatshëm për këtë proces dhe se kjo nuk do të thotë fatura më të mëdha për qytetarët./Alsat-M/