BDI mirëpret epilogun e “Monstrës”, shpreh neveri për reagimet abuzuese të partive


 

Bashkimi Demokratik për Integrim mirëpret vendimin e Gjykatës Supreme për rigjykim të rastit Monstra dhe lirimin e të akuzuarve për tu mbrojtur në liri. Kërkesa e prokurorisë si dhe vendimi i gjykatësve janë të drejta dhe në përputhje me pritshmëritë tona dhe të qytetarëve.

Që në fillet e hetimit dhe më pas edhe të gjykimit të rastit, Bashkimi Demokratik për Integrim ka insistuar për zbardhje të tërësishme të së vërtetës, rigjykim transparent të rastit me monitorim të theksuar ndërkombëtar dhe bashkëpunim rajonal të institucioneve.

Mbetemi fuqimisht të përkushtuar për reformim të gjyqësorit sipas rekomandimeve të Bashkimit Evropian dhe për sundim të së drejtës dhe ligjit edhe në të gjitha rastet e tjera kontestuese që kanë nxitur dyshime tek të gjithë ne.

Shprehim keqardhje dhe neveri për keqpërdorimin dhe abuzimin nga ana e partive politike shqiptare në reagimet e tyre ndaj kësaj ditë të veçantë dhe këtij lajmi të mirë. Abuzimi politik me fatet e njerëzve dhe mosdhënia e asnjë kontributi për ti zgjidhur çështjet kontestuese zëvendësohet me retorikë shpifëse, përçarëse dhe nxitëse.

Për këtë, qytetarët janë vlerësuesi më i mirë dhe më i drejtë.