BDI me akuza të rënda për Taravarin


Keqpërdorimet e kryetarit të komunës së Gostivarit dhe funksionarëve të tij nuk kanë fund. Veprimet joligjore të drejtuesve të institucioneve në varshmëri të pushtetit lokal në Gostivar, po bëhet praktikë e përditshme.

Një skandal i ri ka përfshirë shkollën e mesme teknike komunale në Gostivar. Drejtoria e kësaj shkolle ka iniciuar procedurë për furnizim publik për nevojat e Ndërmarrjes Publike Komunale “Komunalec”, një veprim që bie në kundërshtim të plotë me rregullat e ligjit për furnizime publike, reagon BDI- Gostivar.

“Në emër të Shkollës së Mesme Teknike Komunale – SHMTK, është hapur shpallje për furnizim publik (mjete higjienike, pije dhe kafe) për nevojat e Ndërmarrjes Publike Komunale – NPK “Komunalec”. Vlera e furnizimit publik është paraparë 150.000 mijë denarë, kurse shpallja është bërë në sistemin elektronik për furnizime publike.

Keqpërdorimi i detyrës nga drejtuesit e kësaj shkolle, dëshmon edhe njëherë që Pushteti Lokal në Gostivar po shkel ligjin dhe po denigron funksionimin e institucioneve.

Kujtojmë që na mandatin e kaluar nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim – BDI, në shkollën e mesme teknike komunale u kryen investime kapitale në rregullimin brenda dhe jashtë të dy objekteve shkollore, sallës sportive dhe oborrit të shkollës. U rinovuan dhe u hapën kabinete dhe laboratori, siç ishin kabineti i fizikës dhe kozmetikës, u shtuan drejtime të reja mësimore dhe u kryen investime kapitale në rritjen e cilësisë dhe avancimin e procesit mësimor.

Brenda mandatit të kaluar katër vjeçar, u kryen mbi 450 mijë euro investime, përfshi këtu ndërrimin e dritareve, dyshemeve, dyerve, nyjeve sanitare, lyerja e shkollës, e kështu me radhë. Sakaq, u siguruan mjete për rikonstruimin e palestrës sportive, kulmit të objektit të vjetër dhe të ri, si dhe disa punë të tjera.

Sot, në këtë institucion arsimor por edhe në objektet e tjera shkollore të Komunës së Gostivarit, nuk po kryhet asnjë investim, dhe siç mund të shihet po bëhen vetëm keqpërdorime ligjore”, thonë në BDI- Gostivar.